E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, banorët e Spitallës ngrihen në protestë, prej 12 javësh pa drita

Mungesa e dritave, që prej një jave, ka bërë që dhjetëra banorë të Spitallës të protestojnë. Sipas banorëve, terri në zonën e Spitallës është ulur këmbëkryq megjithë premtimet e krerëve të OSSH për heqje të kufizimeve elektrike. Banorët që prej një jave po përballen me justifikimet e agjencisë elektrike, që në thelb janë të gjitha pa zgjidhje. Të irrituar, ata u  bënë thirrje qeveritarëve të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa kanë paralajmëruar se në rast të kundërt ata do ti përshkallëzojnë protestat. Periferia e Durrësit prej muajsh vijon të penalizohet nga OSSH, ndërsa  kjo e fundit ka gjithnjë një justifikim gati. Sipas drejtuesve të saj, janë remontet që po lënë pa drita qytetarët, dhe jo kufizimet prej tyre. Por realiteti i Spitallës i përgënjeshtron justifikimet bajate të OSSH. Realiteti është që dhjetëra familje në lagjen 15 në Spitallë të Durrësit kanë 8 ditë pa energji elektrike pas heqjes së transformatorit nga OSSH. Banorët kanë bërë të ditur transformatori ishte privat dhe ata kanë paguar nga 130 mijë lekë (të vjetra) secili, ndërkohë që OSSH kishte premtuar vendosjen e  shtyllave të rregullta dhe një transformator të ri. Kjo gjë nuk është realizuar dhe në këtë mënyrë banorët kanë dalë në protestë. Banorët janë shprehur se kanë paguar rregullisht faturat e energjisë elektrike, megjithëse faturistët e kësaj lagjeje abuzojnë shpesh me sasinë e kilovatëve që faturohen çdo muaj. Zona e Spitallës ka vite që nuk ka njohur asnjë investim në drejtim të përmirësimit të rrjetit të energjisë elektrike, por edhe investimet që janë bërë nga vetë banorët, tashmë janë shkatërruar nga vetë KESH-i. Në të vërtetë në shumicën e qyteteve dhe fshatrave të qarkut të Durrësit si dhe në periferitë e qytetit bregdetar, është rikthyer situata e ndërprerjeve  të gjata të energjisë elektrike. Arsyet e dhëna deri tani për këtë masë kanë qenë të ndryshme nga ana e Deges së OSSH-së në qytetin e Durrësit. Ndërprerjet e energjisë elektrike, nga ana e drejtorisë së Durrësit janë justifikuar me defekte në nënstacione dhe linja të transmetimit. Por, kjo nuk është një justifikim i besueshëm nga ana e kësaj dege. Janë mijëra familje në Spitallë dhe në zonat e tjera periferike të qytetit të Durrësit që mbeten ditë me radhë pa energji elektrike. Shkaku i këtyre ndërprerjeve nuk është ende i qartë edhe pse autoritetet kanë bërë të ditur se ndërprerja e energjisë elektrike, ka ndodhur si pasojë remontesh por ikja kaq frekuente e energjisë ka vetëm një shpjegim atë të rikthimit të kufizimeve. Banorët shprehen se jetojnë në terr me ditë të tëra, ndërsa autoritet përkatëse nuk i kanë njoftuar për situatën.  Ndërkaq, ndërprerja e energjisë elektrike vë në vështirësi mjaft biznese që janë vendosur me shumicë në këto zona periferike. Në qytetin e Durrësit në zona të veçanta energjia mungon një javë si në zonën e Spitallës dhe dy deri në tre orë në ditë në zona të tjera. Po kështu në qytetin e Shijakut energjia elektrike mungon dy orë në ditë, ndërsa në Sukth mungesa e dritave shkon deri ne 4 ore ne dite. Mungesën e energjisë elektrikë e vuajnë më tepër zonat e thella siç është ajo e Manzës, Ishmit apo Krujës ku mungesa e energjisë elektrike arrin deri në 4 orë në dite.

Last Updated on Wednesday, 11 March 2009 14:13

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›