E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallakastër, sekuestrohet 119 kg kanabis, arrestohen 2 poseduesit

Policia e Fierit ka sekuestruar 119 kg kanabis sativa si dhe ka vënë në pranga 2 poseduesit e saj, për kultivim dhe trafikim të bimëve narkotike. Mithat Velaj, 65 vjeç dhe Bajram Minaj, 62 vjeç që të dy nga Mallakastra, janë prangosur në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjatë aksionit të koduar "Shkëmbi i kuq". Sasia e drogës u bllokua në fshatin Hekal të qytetit të Fierit. Edhe pse nuk jepen shumë detaje nga ana e uniformave blu të Fierit, mësohet se kjo sasi e madhe droge ka pasur si destinacion Greqinë. Ndërkohë, burime brenda policisë së Fierit bëjnë me dije se kjo sasi droge ka qenë gati për ambalazhim, ndërsa se një pjesë e drogës ishte fshehur në tre bidona kauçuku brenda në një kasolle në territorin e banesës së njërit prej të arrestuarve. "Ishte mbledhur një pjesë e mirë e drogës në bidonë kauçuku me qëllim fshehjen e saj në mënyrë më të dukshme .Kështu, pra ky lloj ambalazhimi bënte që dy shtetasit të mos binin në sy", kanë deklaruar burimet nga grupi hetimor, ndërkohë po burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dijë se fshatit dhe banorëve përreth, Velaj dhe Minaj u thoshin se bidonët i mbanin të mbushur më ujë dhe kohën e kultivimit të rrushit i mbanin me rrush të fermentuar për verë dhe raki. Por jo vetëm kaq. Burimet policore bëjnë me dije se një tjetër sasi droge ishte e ambalazhuar në 5 thasë plastmasi, të cilat ishin të fshehura brenda në banesën e Bajram Minajt. Aksioni është kryer në vendin e quajtur "Shkëmbi i Kuq" në fshatin Hekal, lagja Arapaj në të cilën banonin dy shtetasit dhe lënda narkotike e kapur në flagrancë është e tipit kanabis sativa. Policia në një komunikim për shtyp ka treguar se një sasi prej 97 kg u gjet në banesën e Mithat Velaj, ndërsa sasia tjetër si dhe një armë e tipit automatik është gjetur në banesën e Bajram Minaj. Arrestimi i Velaj u bë për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa Minaj akuzohet tashmë për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim si dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ndërkohë, lënda e gjetur është sekuestruar në cilësinë e provës materiale së bashku me armën. Gjetja e kësaj të fundit ka rënduar edhe më tepër akuzat për shtetasit e arrestuar, ndërsa policia po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për momentin ende nuk jepen informacione të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›