E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, shtëpia e Kadaresë, drejt fazës tjetër të rikonstruksionit

Shtëpia e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, së shpejti do të pësojë ndryshimet e fundit në strukturën e vet. Kjo është mësuar nga drejtori i Zyrës për Menaxhim dhe Turizëm të qytetit Muze të Gjirokastrës, Rajmond Kola. Ky i fundit ka pohuar për gazetën SOT se mjaft shpejt pritet të iniciohet faza e dytë e rikonstruksionit të shtëpisë së Kadaresë. Organizmi botëror i ruajtjes dhe trashëgimisë kulturore UNESCO, ka shpallur prej pak ditësh tenderin ndërkombëtar për këtë objekt. Sipas zotit Kola, 23 marsi është dita përmbyllëse e pranimit të ofertave nga kompanitë që do të shprehin interes për rikonstruksionin e banesës që ndodhet në zonën historike të qytetit. Në ftesën për tender janë ftuar firma ndërtuese vendase dhe të huaja që kanë padyshim një eksperiencë për rehabilitimin e banesave muzeale. Janë rreth 160 mijë dollarë amerikanë të akorduara nga qeveria shqiptare në kuadër të projektit Ringritja e qendrës historike që do të përdoren për kryerjen e punimeve në fazën e dytë. Në fazën e parë të punimeve, shteti shqiptar, investoi me një fond prej 10 milionë lekësh akorduar nga buxheti i Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Me këtë fond, u bë i mundur, ringritja e banesës tri katëshe nga themelet përfshirë këtu edhe fasadat e jashtme. Por ajo që ka rënë në sy tek specialistët gjirokastritë të këtyre ndërtimeve, ka qenë mungesa e oxhakut. Mungesa e tij, nuk është vënë re nga banorët e lagjes Palorto ku ndodhet objekti, por nga pikëpamja konceptuale e banesave të vjetra gjirokastrite, oxhaku është element përbërës ashtu si dyert, dritaret, çatia etj. Në vizitën e fundit të Kadaresë në nëntor të vitit të kaluar, ai nuk pranoi të komentonte punimet e ndërmarra. Shtëpia e Kadaresë u dogj në nëntor të vitit 1999 dhe u deshën gati 8 vjet që të fillonte puna për ringritjen e saj. Deri më tani ekzistojnë disa projekte kryesisht lokale për ta shndërruar atë në bibliotekë ndërkombëtare që të mbajë emrin e shkrimtarit të shquar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›