Durrës, banorët në protestëkundër ndërtimit të rrugës
Përfaqësuesit e biznesit dhe banorët kanë kërkuar ndryshimin e projektit që pengon zhvillimin e turizmit në zonë
DURRËS- Përfaqësuesit e dhjetëra bizneseve por dhe banorët e zonës së Plepave dhe Përroit të Agait janë mbledhur dje në Durrës për të kundërshtuar zgjerimin e rrugës, e cila sipas tyre bëhet jashtë kritereve të rregullta.
Sipas tyre, rruga e re shkatërron ekonominë e zonës së Rrashbullit dhe të Golemit turistik dhe po izolon banoret që jetojnë në këto zonë. Ata kanë theksuar se zgjerimi i rrugës bën që të ndahet Golemi i sipërm, me atë të poshtëm.
Gjë kjo sjell izolimin e pjesës së sipërme dhe falimentimin në atë pjesë të çdo lloj biznesi. Izolimi i kësaj zone, bllokon punën e 1700 bizneseve që operojnë në këtë segment rrugor, ndërsa në pjesën e poshtme janë të punësuar në bizneset e turizmit rreth dhjetë mijë njerëz. I vetmi person që është shprehur në mbrojtje të projektit është kryetari i komunës se Rashbullit, Hysen Gashi.
Ai ka deklaruar se ka kontaktuar me Ministrinë dhe se ata po punojnë për një zgjidhje racionale të këtij problemi. Vitin e kaluar, një vendim i qeverisë shqiptare ngarkoi Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve që të rikonstruktojë rrugën Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, pa pasur fare parasysh një masterplan të zhvillimit turistik që është miratuar që në kohën kur në pushtet ishte Partia Socialiste.
Punimet për zgjerimin e rrugës kanë nisur javën e parë të janarit të këtij viti. Janë rreth 460 milionë lekë të reja që do të shpenzohen për rregullimin e aksit 35 kilometra të gjatë. Segmenti rrugor funksionon me dy korsi, por me vënien në zbatimi të projektit do të funksionojë me katër korsi.