Vlorë, 40 familje, protestapër mungesën e energjisë
VLORË- Rreth 40 familje të zonës së plazhit të vjetër tek ish- kabinat e pushimit kanë bllokuar rrugën kryesore Skelë - Tec Petroliferë për të protestuar për mos furnizimin për rreth një muaj me energji elektrike nga ana e OSSH. Banorët të irrituar kanë bllokuar rrugën me gurë si dhe duke dalë vetë para makinave të rënda, të cilat kalojnë aty.
Për rreth 30 minuta është paralizuar thuajse krejtësisht lëvizja në këtë aks rrugor si dhe janë bllokuar shumë mjete, ndër ta dhe autobusi i linjës urbane.
Banorët kanë kërkuar nga OSSH rilidhjen e menjëhershme me energji elektrike në banesat e tyre si dhe i kanë kërkuar vendosjen e matësve të energjisë elektrike me arsye se nuk kanë pse paguajnë më aforfe.
Banorët janë shprehur të irrituar si dhe kanë kërkuar ndihmën e bashkisë së Vlorës për të zgjidhur këtë problem që sipas tyre është jetik.
"Në banesat tona kemi dhe pleq si dhe fëmijë të cilët e kanë të domosdoshme energjinë elektrike",- thanë banorët.
Pas rreth 30 minutash bllokim rruge ka ndërhyrë policia e rendit së bashku me efektivët e qarkullimit rrugor duke shpërndarë protestën dhe normalizuar qarkullimin e mjeteve në rrugë. Ndërkohë, vetë banorët kanë bërë një takim para disa ditësh me prefektin e qarkut të Vlorës, Hasan Halili ku i kanë kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemit të tyre por sipas tyre, megjithëse prefekti premtoi, asgjë konkrete nuk u bë.
Duke mos pasur mundësi tjetër zgjedhjeje, banorët i janë drejtuar një forme të tillë proteste.
Mbi 50 banorë kanë qenë të pranishëm në këtë protestë, si dhe kanë deklaruar për mediat se protesta e tyre do të vazhdojë në qoftë se shteti dhe OSSH nuk marrin masat për rikthimin e energjisë elektrike tek ish-kabinat e plazhit të vjetër, godina këto të kthyera në shtëpi banimi nga banorët e kësaj zone.