Gërdeci, Gjykata e Lartë, dorëzohet dosja me 80 fashikuj për gjykim
Dy ditë para 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, dosja “Gërdeci” me 28 të pandehurit dorëzohet për gjykim në Gjykatën e Lartë. 80 fashikujt hetimorë dorëzohen dhe protokollohen në këtë gjykatë, në prani të prokurorëve që e dorëzuan rreth orës 15:20 të ditës së djeshme. Madje, përveç 28 të pandehurve, në procedim është futur edhe subjekti “Albdemil”. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe nga burime pranë Gjykatës së Lartë. Ashtu sikundër dhe e paralajmëroi Kryeprokurorja Ina Rama dy ditë më parë përfundimin e hetimeve për këtë çështje dhe se dorëzimi i saj ishte çështje ditësh, ashtu ndodhi. Katër ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e saj në gjykatë, grupi hetimor bëri gati fashikujt hetimorë, u vuri dosjen në dispozicion avokatëve të çdo të pandehuri dhe pasditen e djeshme, pak para përfundimit të orarit zyrtar të punës, dosja me një numër të madh fashikujsh u transportua për në Gjykatën e Lartë, duke protokolluar depozitimin e saj për gjykim. Në ditët në vazhdim pritet që kjo dosje të hidhet në short për t’u gjykuar, dhe ende nuk dihet sesi do procedohet, me gogla apo në mënyrë elektronike. Kjo është dosja e dytë që do të gjykohet në themel nga një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë. Komunikimi i akuzës për 28 të pandehurit dhe njohja me aktet kanë qenë veprimet e fundit hetimore nga ana e grupit hetimor, që hetoi për gati një vit tragjedinë e Gërdecit. Dy javët e fundit kanë qenë të ngjeshura për grupin hetimor, të cilët kanë kryer procedurat e fundit për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Gjatë këtyre ditëve, prokurorët kanë firmosur arrestimin e një tjetër personi, i cili deri një javë më parë ka qenë nën hetim me masën “detyrim paraqitje”. Bëhet fjalë për të pandehurin Sokol Ngjeçi, i cili ka pasur detyrën e mbikëqyrësit të MEICO-s, detyrë që rezulton gjatë hetimit, që nuk e ka zbatuar. Pasi i është komunikuar ndryshimi i akuzës, ai është njohur me përfundimin e hetimeve dhe njohjen me aktet. Po e njëjta procedurë është ndjekur javën e kaluar edhe me tre të pandehurit e tjerë të arrestuar, Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxhollin, të akuzuar për vrasje masive. Tre të pandehurit e arrestuar në fillim të këtij hetimi janë njohur me aktet dhe i kanë firmosur ato në prani të avokatëve të tyre, Maks Haxhia e Ardian Leka, në ambientet e burgut 313-të. Por, përveç tyre, janë edhe 25 të pandehur në gjendje të lirë, kryesisht ish-zyrtarë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ushtarakë të lartë dhe ish-komisionerë në vlerësimin e shitjes së municioneve, konkretisht ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullai, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Të pandehurit akuzohen si shkaktarë të tragjedisë së 15 marsit të vitit të kaluar, direkt apo indirekt, me veprime apo mosveprime, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.