Durrës, bashkia hedh në diskutim buxhetin
Më shumë investime do të rezervojë për qytetin ky vit në krahasim me vitin që lamë pas. Projektbuxheti i qytetit-port të Durrësit është propozuar për diskutim nga bashkia para grupeve të interesit dhe komunitetit, para se të kalojë për miratim në këshillin bashkiak. Prezantimi i këtij projektbuxheti është bërë nga kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili theksoi se gjatë këtij viti do të shtohen akoma më shumë investimet në të gjitha fushat, bazuar në identifikimin e nevojave të siguruara nëpërmjet takimeve publike me komunitetin. Nga prezantimi rezultoi se projektbuxheti është i orientuar drejt një planifikimi të integruar urban e gjithëpërfshirës të zhvillimit social e ekonomik, shoqëruar me infrastrukturë dhe shërbime publike, si dhe drejt një zhvillimi të qenësishëm të infrastrukturës rrugore, arsimore dhe të zonave informale përmes investimeve, përfshirë dhe një rikualifikim urban të disa zonave të qytetit nëpërmjet projekteve speciale për rritjen e cilësisë së jetës komunitare. Pjesëmarrës të komunitetit në diskutim u shprehën për gazetën se në parim projektet janë kuptimplota, por duhet pritur për të parë realizimin dhe cilësinë e zbatimit të tyre. Kryetari Dako tha se për të realizuar synimet janë programuar jo vetëm realizim të projekteve të zbatimit të rrugëve të reja, po dhe realizimin për hapjen e disa prej tyre brenda këtij viti, sidomos rrugë dytësore dhe tretësore. Ndërkaq, brenda 4-mujorit të parë do të fillojë hartimi i Planit Urbanistik të Durrësit, i cili do të përfshijë të gjithë territorin brenda vijës së verdhë të qytetit. Ndryshime pritet të ndodhin dhe në sheshin para portit dhe që vazhdon drejt shëtitores bregdetare, ndërsa do të fillojnë punimet për përfundimin e rrugës "Taulantia" dhe shëtitores deri te Bërryli, për të vijuar me një projekt-studim për zonën që vazhdon deri në Currila. Hapja e universitetit në këtë pjesë të qytetit i ka dhënë një zhvillim të ri kësaj pjese dhe rrjedhimisht kërkon ndërhyrje të ndjeshme në infrastrukturën e saj. Gjatë këtij viti do të synohet që të arrihet objektivi i një sipërfaqeje të gjelbër prej më shumë se 2,5 m2 për frymë dhe krijimi i vendeve çlodhëse, të cilat në Durrës thuajse mungojnë. Ndërtimi i 342 banesave sociale është një tjetër projekt që pret të realizohet e të zbusë problemin e strehimit në Durrës, ndërsa do të zgjerohen shërbimet sociale për familjet dhe grupet në nevojë.
Zonat informale të qytetit parashikohet në projektbuxhet të mos lihen pas dore. Sipas Dakos dhe specialistëve të bashkisë që bënë prezantimin, plani i shpenzimeve kapitale për vitin 2008 i shton Qytetit të Durrësit 529 milionë lekë në infrastrukturën rrugore, 80 milionë lekë në shërbimet publike, 48 milionë lekë në sport e kulturë, 33 milionë lekë në arsim, 50 milionë lekë në strehim dhe 45 milionë në shëndetësi.
SSSASS