Nuk pranon të shesë ujin e fshatit, shkarkohet kryeplaku
Banorët e fshatit Zogje, në Komunën e Shupenzës, kanë bllokuar tenderin e kësaj komune, për ndërtimin e një ujësjellësi, që do të merrte ujin nga burimi i këtij fshati, për ta dërguar atë në një fshat tjetër. Këtë e konfirmoi për "Shqip", kryeplaku i këtij fshati, Ilmi Krrusa. Kështu, 57 familje të fshatit, kanë protestuar kundër marrjes së ujit të burimit, pasi me këtë ujë, ata vadisin tokat e tyre dhe vënë në punë mullirin për bloje të drithërave të bukës. "Por kryetari i komunës, Mois Llani, nuk do të ia dijë për hallet tona, pasi e ka mendjen te fitimet që mund të sigurojë nga tenderi i ndërtimit të ujësjellësit me vlerë 30 milionë lekë të reja", thotë kryeplaku i këtij fshati. Ka qenë kjo arsyeja që konflikti i kryeplakut të fshatit me kryetarin e komunës ka njohur vetëm rritje. "Duke parë vendosmërinë e banorëve dhe timen për të mos lejuar marrjen e ujit, kryetari i komunës i shtoi presionet ndaj meje me mënyra nga më të ndryshmet", vijon kryeplaku Krrusa. 57 kryefamiljarë, nënshkruan një letër që ia dërguan Prefekturës së Dibrës, ku protestojnë kundër kryetarit të komunës, që do t‘i lërë pa ujë. Por kryetari, i vendosur në rrugën e tij të realizimit të këtij tenderi, si presion të fundit ka komunikuar shkarkimin nga detyra të kryeplakut. Ilmi Krrusa nuk merr pagën prej një muaji. Ai është ankuar në prefekturë për këtë vendim të kreut të komunës, duke argumentuar se vendimi është i padrejtë, pasi kanë qenë banorët e fshatit Zogje ata që e kanë zgjedhur në këtë detyrë dhe jo kryetari i komunës. "Prefekti Xhafer Seiti më ka garantuar se askush nuk mund të më pushojë nga detyra e kryeplakut, përveç banorëve të fshatit që më kanë zgjedhur, por përkundër këtij deklarimi të prefektit problemi nuk ka marrë asnjë zgjidhje", tregon Ilmi Krrusa. Ai thotë më tej se, së bashku me bashkëfshatarët, do të kundërshtojnë me të gjitha mënyrat vendimin e komunës për t‘ia dhënë ujin një fshati tjetër.
SSSASS