Turizmi në Voskopojë, peng i planit urbanistik
Voskopojës i mungon prej vitesh një plan urbanistik. Kjo ka çuar në më shumë se një dekadë në pushtimin e saj nga ndërtime sporadike, ndërsa zonat më të parapëlqyera për ndërtime kanë mbetur të bllokuara, pasi një i interesuar nuk mund të marrë një leje ndërtimi. Që nga viti 1993 nga ana e komunës nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi, ndërsa nga viti në vit janë shtuar deri më sot të paktën 40 ndërtime të reja që ende nuk janë të ligjshme. Pushtimi nga ndërtimet që nuk zbatojnë kriteret ka ardhur si pasojë e mungesës së një plani urbanistik, por edhe sot e kësaj dite komuna nuk ka ende në dorë një plan të miratuar, por vetëm studime që nuk i japin të drejtën e miratimit të lejeve. Më shumë se kaq, ndërsa është folur shumë për miratimin e një masterplani nga ana e kryetarit të komunës, Nexhip Bacelli, bëhet e ditur se nga plani i fundit urbanistik i studiuar lihen jashtë ose përjashtohen zonat që janë më të preferuara dhe kanë interesin më të lartë për investime dhe ndërtime. Këto pjesë, sipas tij, edhe pse kanë kërkesat më të larta, nuk janë futur fare në studim, çka do të thotë se nuk do të marrin as të drejtën për t‘u futur brenda vijës së verdhë. Zona turistike që tërheq edhe vëmendjen më të madhe të vizitorëve, për shkak të historisë së qytetërimit në shekullin XIV dhe kishave të vjetra, dikur një zonë e rëndësishme me ndërtime interesante dhe tregti të zhvilluar, sot është zhytur në varfëri, ndërsa të ardhurat kryesore vijnë vetëm nga turizmi. Në një kohë që ka një interes mjaft të lartë për të investuar me ndërtime, siç deklaron kryetari i komunës, çdo gjë ka mbetur nën ngërçin e një plani urbanistik që nuk u hap dritën jeshile ndërtimeve në zonë, për më tepër që deri më tani nuk janë zbatuar kriteret e ndërtimit që duhet të kufizojnë edhe karakteristikat dhe veçoritë urbanistike e arikteturore që mund t‘i përshtaten kësaj zone. "Problemet që ka shkaktuar mungesa e një plani urbanistik për Voskopojën kanë qenë të mëdha dhe të rënda. Kjo ka ndikuar edhe në aspektin ekonomik të zonës dhe në të ardhurat që duhet të sigurojë komuna nga lejet e ndërtimit. Por më shqetësues është fakti se këtu është ndërtuar deri më tani duke mos zbatuar kriteret për ndërtim dhe jo sipas një plani. Ne kemi filluar të miratojmë një studim dhe është bërë edhe studimi i relievit në një sipërfaqe prej 180 hektarësh që në vitin 2004 për t‘u futur brenda vijës së verdhë. Por deri më tani nuk është miratuar masterplani, thjesht është bërë një miratim i planit rregullues dhe detyra e projektimit. Për një zonë si Voskopoja që është shumë e kërkuar dhe ka një interes të madh turistik nisur dhe nga historia e saj, monumentet dhe kishat e vjetra dhe vetë vlerat natyrore, kjo është një goditje e rëndë, pasi edhe kur ka interesime për të investuar këto bllokohen, pasi nuk mund të jepen leje ndërtimi", sqaron kryetari i komunës, Nexhip Bacelli. Ai tregon se që nga viti 1993 dhjetëra ndërtime të ngritura në zonë janë jashtë kritereve dhe pa leje ndërtimi. "Këtu nuk mund të bëhen ndërtime me leje për sa kohë që nuk miratohet plani urbanistik. Edhe pse jemi munduar të pengojnë zhvillimin e ndërtimeve, kjo ka qenë e pamundur në këto vite. Ndërkohë, kemi edhe një përplasje institucionale me institutin e studimeve urbanistike, që ka hartuar masterplanin, pasi shumë zona lihen jashtë studimit dhe janë përjashtuar edhe pse ato janë pikërisht edhe zonat më të preferuara dhe të kërkuara deri më sot për kryerjen e ndërtimeve", thotë kryetari. Edhe shtëpitë e vjetra karakteristike të Voskopojës nuk mund të rikonstruktohen, pasi nuk mund të marrin leje ndërtimi nga ana e komunës. Shumë banorë e kanë braktisur fshatin, ndërsa pak prej tyre i kanë shitur banesat. Voskopoja e ndërtuar në vitet ‘30 të shekullit XIV, edhe pse ka ruajtur karakteristikat urbanistike dhe veçoritë e banesave të ndërtuara me gurë, nuk mund të zhvillohet pa një plan urbanistik të mirëfilltë që do t‘u hapë rrugën ndërtimeve në bazë të disa kritereve. Sipas kryetarit të komunës, për nga vetë karakteristikat që ka ky fshat, ndërtimet nuk mund të bëhen të larta dhe shumëkatëshe apo jashtë natyrës tradicionale, por këto mund të rregullohen vetëm në rast se vihet në zbatim një plan i miratuar dhe aprovimi i zonës që do të futet brenda vijës së verdhë. "Në rast se këtu do të ndërtohet sipas kritereve dhe kushteve për të ruajtur edhe veçoritë dhe karakteristikat urbane, zona do të marrë një zhvillim të madh, pasi nuk mungon interesi nga ana e biznesit. Edhe pse kjo çështje është mbajtur peng për shumë vite, mendojmë se ka ardhur koha që të bëhet sa më parë miratimi", deklaron Bacelli.
SSSASS