Durrës, bllokohen 42 tonë mish brazilian
Dogana dhe Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit, falë një bashkëpunimi perfekt mes tyre, kanë arritur të bllokojnë dhe të kthejnë mbrapsht drejt vendit të origjinës plot 42 tonë mish i ardhur nga Brazili i largët. Sipas drejtorit të Bujqësisë Durrës z. Jonuz Tafili “tashmë kur në Durrës kanë mbërritur mbi 200 mijë pushues është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe konsumi i produkteve ushqimore, në këtë situatë DBU-ja ka shtuar numrin e kontrolleve ndaj subjekteve të cilët tregtojnë produkte ushqimore”. Puna e këtij institucioni është e përqendruar në dy drejtime, e para është kontrolli i produkteve ushqimore të cilët vijnë nëpërmjet importit në portin e Durrësit, si dhe në kontrollin e rrjetit të dyqaneve dhe të restoranteve të cilët tregtojnë produktet ushqimore të cilat konsumohen për çdo ditë.
24 orë kontrolle në port
Dogana e Durrësit dhe DBU-ja prej vitesh kanë instaluar në portin detar një pikë karantine e cila ka për detyrë që të kontrollojë dhe të analizojë të gjitha prodhimet ushqimore të cilat hyjnë atje. Sipas drejtorit të DBU-së, Jonuz Tafili, “në mënyrë të veçantë i kemi kushtuar kujdes kontrolleve dhe analizave të produkteve me origjinë shtazore të cilat janë edhe bartëse të viruseve të ndryshme”. Kështu dje Shërbimi Veteriner i DBU-së në port, ktheu andej nga kishte ardhur një sasi të madhe mishi gjedhi. Ishin plot 42 tonë mish të vendosur në dy kontejnerë frigoriferikë të cilët nuk u lejuan të kalonin traun e doganës. Mishi ishte me origjinë nga Brazili dhe ishte importuar nga subjekti “MERIDIAN” me seli në Kosovë. Shkak për bllokimin e mishit në vendin e origjinës ishte fakti se firma importuese nuk figuronte në listën e subjekteve të cilat plotësojnë kriteret e vendosura nga BE-ja për këtë lloj biznesi. Ndërkohë gjatë periudhës janar-korrik 2008 DBU ka kthyer mbrapsht 8 trajlera të ngarkuar me mish ose një sasi prej 170 tonelatash.
BDU shton kontrollet në plazh
Gjatë gjithë sezonit turistik objekt kontrolli i inspektorëve të DBU-së këtë periudhë ka qenë zona e plazhit. Drejtori Tafili deklaroi se “Ministria e Bujqësisë ka dërguar një program veprimi sipas të cilit duhen kaluar në sitë subjektet prodhuese e tregtuese të pijeve freskuese,ujit të ambalazhuar dhe akullit, kremit, akullores, birrës, subjektet e ushqimit social si, hoteleri, restorante kryesisht në zonat turistike, pikat e shitjes me shumicë dhe tregjet ushqimore”. Në zonën bregdetare janë licencuar mbi 100 subjekte private sezonale të cilat bëjnë pjesë në kategorinë e fastfudeve, bareve dhe restoranteve të cilët kanë qenë edhe në qendër të kontrolleve. Gjatë kësaj periudhe janë analizuar disa qindra kampione të produkteve ushqimore të cilat tregtohen prej tyre. Ndërsa si 6-mujor DBU-ja ka kontrolluar 93 anije,1261 makina dhe 396 kontejnerë, të cilët kanë sjellë 227 931 tonë produkte ushqimore. Nga kontrollet janë gjetur dhe asgjësuar 244 kv produkte ushqimore të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit. Më i ndjeshëm ka qenë subjekti grosist ALFA Shpk në Durrës, i cili tregton produkte ushqimore me shumicë e që në prani të komisionit të DBU-së vetasgjësoi 24 tonë ushqime të skaduara.