E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, çelet festivali i filmit

Ka nisur në Durrës edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar Veror i Filmit (International SummerFest Film). Në këtë festival janë pjesëmarrës rreth 16 filma, secili në garë për të marrë çmimin e madh Gladiatori i Artë. Në një tapet të kuq, ngjashëm me skenat e Hollivudit, është vendosur një tapet i kuq, ku pjesëmarrësit janë ngjitur artisët, që marrin pjesë në këtë festival.

Festivali u çel me premierën e filmit “Nata e kometës” me regji të Fatmir Koçit. Ky film është krijuar me një bashkëpunim shqiptaro-gjerman dhe sjell atmosferën e vitit 1914, përshkuar në romanin e Ismail Kadaresë “Viti i mbrapshtë”. Në këtë film interpretojnë aktorët Blerim Destani, Masiela Lusha, Thomas Heinz, Cun Lajci, etj.

Në vijim është shfaqur filmi “Black horses” (Kuajt e zinj), një prodhim kinematografik serb, që synon të dëshmojë luftën për identitet të popullit fqinj në fillim të shekullit të kaluar. Filmi i drejtuar nga Ljubisha Samarxhiç dallohej për lojën e thjeshtë aktoriale.

Ky edicion do të vijë deri më 1 gusht dhe në të do të konkurrojnë 16 filma të përzgjedhur mes 51 filmave nga 23 vende të botës.

Çdo mbrëmje në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të shfaqen filmat konkurrues për çmimin e madh “Gladiatori i artë”. Gjatë ditës janë parashikuar konferenca shtypi, takime pune dhe veprimtari të tjera të veçanta, ndërsa për publikun e gjerë filmat konkurrues do të shfaqen në amfiteatrin antik të qytetit bregdetar.

Në edicionin e parë të festivalit të parë ndërkombëtar të filmit një seksion i veçantë i është kushtuar “Rikthimit të kinemasë shqiptare” gjatë të cilit, do të shfaqen 12 filmat fitues të po kaq edicioneve të Festivalit të filmit shqiptar në vite.

Juria ndërkombëtare do të vlerësojë me çmime edhe aktorin e aktoren më të mirë, regjinë më të mirë, si dhe do të ketë një çmim special të saj për filmin më të mirë si dhe një çmim për karrierën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›