E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, festivali i filmit

Për herë të parë në Durrës, do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit. Në këtë festival do të prezantohen 16 filma shqiptarë dhe të huaj, festival që do të zhvillohet nga data 23-31 gusht, në qytetin bregdetar
nga Bashkia e qytetit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, kompania "ATRID Film Production-Teatri i Ri".

Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako, tha se "bashkia e qytetit ka vënë në dispozicion të festivalit një financim prej 50 milionë lekë, si dhe mjediset e rinovuara të teatrit "Aleksandër Moisiu" në sallën dhe ekranin e të cilit do të konkurrojnë për çmimin "Gladiatori i Artë" 16 filmat e përzgjedhur që prej disa javësh". Drejtori i QKK-së "Alba Film", Xhevdet Ferri, u shpreh se "festivali është një mënyrë e re për të promovuar filmin shqiptar 'brenda shtëpisë'.

Në vendin tonë organizohet vetëm një Festival Ndërkombëtar i Filmit të shkurtër dhe dokumentar, çka e bënte të nevojshme institucionalizimin e një veprimtarie të re me përmasa ndërkombëtare, që do të sjellë vlera dhe do të përçojë filmin dhe realitetin shqiptar përmes pjesëmarrësve të tij".

Organizatorja Anila Varfi, nënvizoi se "Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës vjen menjëherë pas përfundimit të Festivalit të Sarajevës, ndërkohë që pas tij fillon veprimtaria madhore e filmit ndërkombëtar në Venecia.

Sipas saj, me sloganin "Arti, mbiemri i qytetit tim" ne synojmë të përcjellim te pjesëmarrësit vlerat e qytetit 3-mijëvjeçar, ku edhe statuja e fituesit "Gladiatori i Artë", vepër e skulptorit Sadik Spahija do të jetë një nga simbolet e qytetit.

Pikërisht në amfiteatrin 1900 vjeçar do të organizohet shfaqja e filmave jashtë konkurrimit-tha më pas Varfi, sipas të cilës mjediset e monumentit antik së bashku me sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" do të jenë dy arenat e kësaj veprimtarie madhore.

Filmat pjesëmarrës në festival

Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit do të hapë siparin më 23 gusht me filmin "Trishtimi i zonjës Shnajder" të regjisorëve Pirro dhe Eno Milkani, ndërsa premiera botërore e filmit "Nata e kometës" i regjisorit Fatmir Koci mbi bazën e novelës "Viti i mbrapshtë" të Ismail Kadaresë do të mbyllë më 31 gusht veprimtarinë që organizohet në Durrës.

Sipas organizatores Varfi, në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit aplikuan 51 filma nga 23 shtete të botës, nga të cilet juria seleksionuese përzgjodhi 16 filma gjithsej, nga të cilët filmat shqiptarë të dy viteve të fundit, "Mao Ce Dun", "Sekretet", "Trishtimi i zonjës Shnajder" dhe "Nata e kometës", ndërsa filmat e tjerë vijnë nga Estonia, Çekia, Irani, etj.

Ajo sqaroi se filmat e përzgjedhur do të garojnë për 5 çmime, ku çmimi i madh i festivalit është "Gladiatori i Artë", një skulpturë simbolike e punuar nga profesor Sadik Spahia me finese e dashuri, ku cdo statujë është unike.

"Festivali i Durrësit do të jetë një qendër e dialogut midis regjisorëve, skenaristëve, producentëve, aktorëve, drejtorëve të fotografisë, inxhinierëve të zërit, montazhierëve, kompozitorëve, skenografëve, kostumografëve, gazetarëve të specializuar dhe admiruesve të kinemasë", tha Varfi.

Ky Festival përveç vëmendjes ndaj filmave të huaj ka në fokus të veçantë kinemanë kombëtare me produksionet e saj më të fundit për të risjellë në vijimësi të përvitshme traditën e Festivaleve Kombëtare, ku vlerat të shpalosen përpara një vlerësimi profesional ndërkombetar. Gjithashtu në një program jashtë konkurimit do të shfaqen për kënaqësinë e audiencës si "Rikthim në kinemanë tonë" të gjithë filmat fitues në 12 edicionet e Festivalit Kombëtar të Filmit shqiptar.

Çmimet për filmin dhe aktorët

1-Filmi më i mirë artistik (Gladiatori i Artë)
2-Çmimi i Jurisë
3-Filmi më i Mirë Shqiptar
4-Aktorja më e mirë
5-Aktori më i mirë
6-Çmimi i karrierës

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›