PD, Halimi: Nuk na mungojnë kartonat, por oponenca në Kuvend
Mazhoranca nuk e ka ndier dhe aq mungesën e votave për miratimin e ligjeve të rëndësishme, sa oponencën e opozitës në sallën e Kuvendit. Duke vënë theksin tek mungesa e këndvështrimit të opozitës, e djathta në pushtet e quan atë të nevojshme për një demokraci normale në një shtet. Në pritje të mbylljes së punimeve të Parlamentit për 2009, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, shprehet i sigurt se mungesa e kartonave të opozitës nuk ka penguar asnjë reformë, madje as atë në drejtësi, pasi në komisione, por dhe në seancë plenare, kanë kaluar ato ligje të cilat nuk kanë pasur nevojë për shumicë votash. Deputeti demokrat vuri në dukje se ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm të punës së tij. “Çdo ditë të javës, me përjashtim të ditës të enjte dhe ditës së premte, ka pasur mbledhje ku janë diskutuar me profesionalizëm të lartë një numër i madh projektligjesh, ku unë do të veçoja pr/ligjin e antimafies”, - tha z. Halimi. Ndonëse për 3 muaj Partia Socialiste ka lënë bosh karriget e Kuvendit, sipas Halimit, kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më. Ligjet e mbetura nga reforma në drejtësi nuk duhen lënë më në sirtarët e Kuvendit. “Mungesa e opozitës e dëmton procesin, pasi ne bëjmë vërejtje nga këndvështrimi i mazhorancës, ndërkohë që mungon këndvështrimi i opozitës që është i nevojshëm për një demokraci normale në një shtet. Pra, ka munguar elementi kritik i syrit të opozitës. Reforma në drejtësi ka vijuar me elementët e tjerë të atyre ligjeve që kanë kërkuar një shumicë të thjeshtë për të kaluar, por sigurisht prania e opozitës është e domosdoshme”, - theksoi z. Halimi. Opozita braktisi çdo seancë të Parlamenti të dalë nga zgjedhjet e qershorit. Për këtë arsye u reduktua dhe numri i seancave plenare, duke bërë që pothuajse gjatë tërë sesionit deputetët të mblidhen vetëm një herë në javë.