E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, dëmshpërblehen pronarët e peshkarexhave të mbytura



Duket se kompania e sigurimit më në fund ka vendosur të dëmshpërblejë pronarët e anijeve të peshkimit të dëmtuara 6 javë më parë nga përplasja me një traget të linjës me Barin, gjatë një stuhie detare. Anijet e peshkimit të cilat pësuan dëmtime gjatë një fortunali detar i cili përfshiu portin detar nëntorin e kaluar, janë zhdëmtuar me para sipas shkallës së dëmtimit që pësuan pas përplasjes me tragetin e linjës Bari - Durrës në kohën kur ky i fundit po tentonte të ankorohej në terminalin e trageteve. Kompania e sigurimit e cila kishte siguruar tragetin italian ka realizuar fillimisht likuidimin e pronarëve të anijeve që mbetën të dëmtuara dhe pritet që pas pak ditësh kjo kompani të likuidojë dhe pronarët e anijeve që u mbytën në det.

Vendimi i kompanisë sigurimeve

Pronarët e peshkarexhave “Adi”, “Kanina”, “Sevasteri”, “Arturo”, “Rina” dhe “Juendri” të cilat pësuan dëmtime në pjesë të ndryshme të bordit gjatë një aksidenti detar nëntorin e kaluar, kanë marrë në duar paratë e zhdëmtimit. Kompania e sigurimeve PI&D e cila ka siguruar mjetet e lundrimit të shoqërisë “Tirrenia”, pjesë e të cilës është edhe trageti “Aurelia” pas kryerjes së hetimit detar shleu të gjitha detyrimet në raport me shkallën e dëmtimeve që pësuan anijet e flotës së peshkimit në portin e Durrësit. Vlera e dëmtimeve e këtyre peshkarexhave varionte nga 5 mijë deri në 20 mijë euro. Pronarët e tyre kanë nisur riparimet e dëmtimeve të shkaktuara nga aksidenti i nëntorit. Sipas burimeve nga porti i peshkimit, rezulton se pronarët e peshkarexhave të dëmtuara nuk e kanë reklamuar vendimin e kompanisë së sigurimeve për shkallën e zhdëmtimit.

Ndërkohë, ende nuk janë zhdëmtuar pronarët e anijeve të mbytura. Atë mëngjes nëntori përfunduan në fund të detit peshkatoret “El Paso”, “Taulantia” dhe “Acquario” pas përplasjes me tragetin. Sipas Klodian Kapitit, njërit prej pronarëve të anijeve të mbytura, kompania e sigurimeve do t’i mbyllë hesapet me ta pas 1 jave. Kapiti sqaron: “Ekspertët italianë, pasi kanë përfunduar hetimet detare, ende nuk kanë rakorduar shifrat e parave në bazë të tregut të shitblerjes së peshkatoreve. Bëhet fjalë për anije të madhësive dhe cilësive si ato që u mbytën. Ata na kanë njoftuar se pas 1 jave çdo gjë do të mbyllet edhe me ne”.

Gjithashtu, kjo kompani do të shlyejë edhe turqit e “Kurumit” pasi dëmtoi dokun e tyre si dhe portin detar për shkallmimin e kalatës.

Mbytja

Më datën 23 nëntor në mëngjes, trageti “Aurelia” i kompanisë së lundrimit “Tirrenia” i linjës Bari - Durrës për shkak të një fortunali tepër të fuqishëm doli nga kontrolli dhe u përplas me portin e peshkimit, duke regjistruar në këtë mënyrë aksidentin më të fortë në historinë e portit të Durrësit. Si pasojë, u mbytën 3 anije dhe pësuan dëmtime 6 të tjera. Po ashtu, gjigandi metalik dëmtoi dokun e turqve dhe theu në mes kalatën prej betoni në të cilën ankorohen një pjesë e madhe e peshkarexhave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›