E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, mësimi nis në shkurt



Mësimi në sistemin me kohë të pjesshme nuk do të nisë gjatë muajit janar, por vetëm në shkurt. Lajmi është konfirmuar nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, i cili deklaroi dje se mësimi do të nisë pas datës 31 janar, kur pritet të rishpërndahen edhe kuotat e fundit të mbetura bosh nga dy fazat e mëparshme të regjistrimeve.

Sipas prof. Kules, ende nuk është përcaktuar data e saktë për fillimin e studimit në programet me kohë të pjesshme, pasi do të pritet fillimisht plotësimi i degëve në fjalë me të gjithë fituesit e të gjitha fazave të studimeve me kohë të pjesshme. Në të njëjtën kohë ai ka ritheksuar se Universiteti i Tiranës është në pritje të kuotave shtesë të propozuara, të cilat i janë dorëzuar tashmë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

Mësimi

Universiteti i Tiranës do të presë përfundimin e të gjitha fazave të regjistrimit për të filluar mësimin. Kështu, sipas rektorit Kule, asnjë vendim nuk do të merret përpara se të nisë muaji shkurt, që përkon me përfundimin e hamendësuar të regjistrimeve. Nisja me vonesë e programeve të sistemit me kohë të pjesshme vjen, pasi vetëm në fund të dhjetorit Ministria e Arsimit miratoi kuotat, urdhrat dhe udhëzimin për nisjen e këtij sistemi, duke i lënë universitetet në pritje.

Por ky fakt duket se ka nisur të shqetësojë përfaqësuesit e Universitetit të Tiranës. Burime nga ky universitet bëjnë me dije se ekziston mundësia e zhvillimit të mësimit në orare më të zgjatura dhe gjatë muajit korrik, në mënyrë që të plotësohen orët bosh të krijuara. Ndërkohë që studentët e sistemit me kohë të plotë do të nisin tashmë sezonin e parë të provimeve, ata me kohë të pjesshme pritet të nisin studimet.

Kuotat

Por, Universiteti i Tiranës është ende në pritje të kuotave shtesë të kërkuara pak javë më parë. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, ky institucion vazhdon t`i përmbahet kërkesës për 800 kuota shtesë, që ia ka dorëzuar Ministrisë së Arsimit. Sipas prof. Kules, moszhvillimi i mësimit në programet me kohë të pjesshme për dy vite radhazi ka krijuar mundësinë që të përballohet një fluks më i madh studentësh.

Universiteti i Tiranës ka kërkuar 800 kuota shtesë, gjysma e të cilave janë kërkuar për në Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë që pjesa tjetër do të ndahet ndërmjet Fakultetit të Ekonomisë, departamentit të Historisë dhe të Gjeografisë. Pak ditë më parë, ministri i Arsimit, Fatos Beja, rishpërndau kuotat e mbetura bosh, ku shumicës së degëve të kërkuara iu shtuan 20-30 kuota, pjesa më e madhe e të cilave ishte për program të parë studimi, si pasojë e politikës qeveritare për masivizim. Përjashtim përbënte Fakulteti i Drejtësisë, ku për program të dytë studimi u shtuan 160 kuota, ndërkohë për program të parë vetëm 13.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›