E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit; Durrës, gati për të nisur aplikimin



Tri strukturat e pushtetit vendor në Durrës: bashkia, qarku dhe prefektura, si dhe komunat janë gati të presin fluksin e njerëzve për aplikimin e kartës së identitetit. Por ende nuk është menduar se si do të veprojnë studentët e Universitetit “A. Moisiu” të Durrësit për të aplikuar për pajisje me karta identiteti. Në këtë universitet studiojnë 3600 studentë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga rrethe të tjera të vendit duke nisur që nga ato më afër Durrësit e deri në Tropojë e Gjirokastër. Duke pasur parasysh se aplikimi për kartë identiteti përfshin procedura në të cilat kërkohet patjetër prania fizike e çdo aplikanti, studentët do të jenë të detyruar të shkëputen nga auditorët e universitetit e të shkojnë nëpër qendrat e tyre të banimit për të aplikuar. Kjo ndoshta do të kërkojë disa ditë leje nga ana e rektoratit të universitetit për të gjithë këta studentë.

Por deri tashti atyre nuk u është thënë asgjë lidhur me këtë problem në një kohë që është deklaruar se asnjëri prej tyre nuk do të mund të hyjë nëpër provime pa u pajisur me kartë identiteti. Nga ana e tij, pushteti vendor në Durrës tashmë ka ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për fillimin e procedurave të aplikimit dhe pret firmën SAGEM për të nisur nga puna.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›