Sigurimet shëndetësore, i paguajnë vetëm 600 mijë persona
ISKSH: Të ardhurat nga kontributet për sigurime shëndetësore parashikohen 12 310 milionë lekë
Ende i ulët numri i personave që paguajnë sigurimet shëndetësore. Në të gjithë vendin rezultojnë rreth 600 mijë persona që paguajnë kontributet e sigurimeve shëndetësore. Kjo, sipas Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor konsiderohet sigurime në nivel të ulët në krahasim me numrin e popullsisë. Ndërkohë që me implementimin e skemës së sigurimeve pritet të ketë rritje të personave të siguruar deri në masën 22 për qind.
Sigurimet
Reforma e re spitalore, hyrja e spitaleve publike në skemën e sigurimeve shëndetësore që pritet të fillojë brenda muajit mars, ka parashikuar për të siguruarit tarifa edhe me të lira për shërbime të ndryshme. Megjithatë, shumë qytetare që janë në marrëdhënie pune, kryesisht ata në sistemin privat nuk paguajnë sigurime, pavarësisht se mund të kenë lehtësira. Nga ana tjetër ata që punojnë në sistemin publik kanë vite që paguajnë sigurime shëndetësore.
Ndërkohë, shteti derdh kontribute për personat joaktivë, si fëmijët, nxënësit dhe studentët me shkëputje nga puna, pensionistët, të paaftët (mendorë dhe fizikë), të papunët, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë sociale, nënat me leje lindjeje, shtetasit që kryejnë shërbimin ushtarak të detyruar. U takon ministrive të specifikojnë grupe të tjera shtetasish, për të cilët duhet të kontribuojë.
Gjithashtu, në bazë të ligjit të gjithë personave në Republikën e Shqipërisë u ofrohet shërbim shëndetësor, por atyre që derdhin kontribute shëndetësore u ofrohen shërbime më të lira në tarifa krahasuar më të pasiguruarit.
ISKSH
Të ardhurat për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor parashikohen të jenë këtë vit 12 310 milionë lekë ose 10.3% më shumë se programimi i vitit 2008. Sipas strukturës buxhetore, parashikimi i të ardhurave ndahet në kontributin e sigurimeve shëndetësore, transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe të ardhura të tjera.
Ndërkohë, kontributi i sigurimeve shëndetësore mblidhet nga organet tatimore për të gjitha subjektet tatimpaguese me TVSH, si dhe biznesin e vogël. "Për këtë vit (2009) pritet që niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore të arrijë në 6 329 milionë lekë ose 22.35% më shumë nga plani 2008", - bëhet e ditur nga të dhënat e ISKSH-së. Kjo mbështetet në rritjen e numrit të kontribuuesve, si dhe në rritjen e pagës mbi të cilën do të paguhen këto kontribute. Sipas të dhënave, kontributet nga sigurimet shëndetësore zënë 51.41 % të totalit të ardhurave nga ISKSH-ja.
Për sa i përket shpenzimeve për këtë institucion, ato janë parashikuar të balancuara me të ardhurat, pra 16 562 milionë lekë, të ndara këto për rimbursimin e barnave, financimin e kujdesit shëndetësor parësor, për ekzaminimet unikale terciare, shpenzimet administrative, për investime, si dhe për financimin e spitalit të Durrësit.