Vlorë, plagoset 30-vjeçari, e zë korenti, ndërsa ishte duke peshkuar
Një 30-vjeçar është plagosur rëndë, pasi është goditur aksidentalisht nga një shkarkesë elektrike, ndërsa ishte duke peshkuar. Ardian Xh. kishte shkuar tek të afërmit e tij në fshatin Llakatund të Vlorës.
Në shoqërinë e miqve të tij ai kishte dalë për të peshkuar me grep në lumin e fshatit dhe një lëvizje e shkujdesur e kallamit të peshkimit, pasi po peshkonte me grep, i ka kushtuar jetën. Pasi ka ngritur dorën për të rihedhur grepin në lumë, grepi ka kapur në fijet e tensionit të lartë duke përcjellë menjëherë rrymë elektrike në trupin e 30-vjeçarit.
Stomatologu në moshë të re ka marrë djegie të shkallës së tretë në pjesën më të madhe të trupit dhe u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës.
Por për shkak të gjendjes kritike, i riu u dërgua menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mjekët shprehen pesimistë për jetën e tij, pasi thanë se konstatojnë që ai është djegur në pjesë të konsiderueshme të trupit.