E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, të privilegjuarit e “Green Card”



Departamenti amerikan, përgjegjës për çështjet e emigracionit, bëri të ditur se listën e vendeve me më shumë të pranuar për lotarinë e “Kartës Jeshile”. Sipas kësaj liste, që kryesohet nga Etiopia, shqiptarët kanë arritur vendin e shtatë gjatë vitit 2007, duke u rritur madje edhe numri i fituesve. Sipas departamentit, numri mesatar i fituesve në pesë vitet e fundit, përpara hyrjes në fuqi të sistemit të ri, do të jetë edhe numri i aplikantëve që do të pranohen nga ky shtet.

Shqiptarët duket se janë të favorizuar nga një vendim i tillë, pasi në tri vitet e fundit kanë qenë në 10 vendet e para të fituesve të lotarisë amerikane. Vlen të theksohet se ndërkohë që fituesit do të jenë punonjës të kualifikuar, vendimi për pranimin e tyre do të bazohet edhe nga vendi i origjinës pas vitit 2012, kur do të nisë sistemi i pikëzimit dhe sidomos pas vitit 2015, kur lotaria për marrjen e “Kartës Jeshile” do të hiqet.

Renditja

Të pranuarit nga vendi ynë, në lotarinë për vitin 2009, të hedhur në vitin 2007, kanë qenë 2988, pra më shumë se çdo herë tjetër. Kjo, sipas statistikave zyrtare të Departamentit Amerikan për Çështjet e Emigracionit do të thotë se të pranuarit nga vendi ynë zënë vendin e shtatë, në krahasim me vendet e tjera pjesëmarrëse në lotarinë për “Kartën Jeshile”.

Në krye të klasifikimit edhe këtë vit ishin etiopianët, me 6.877 aplikime të pranuara të ndjekur nga marokenët, kenianët dhe egjiptianët. Ndërkohë, nga Evropa, ukrainasit ishin të parët ndër evropianët, duke zënë vendin e gjashtë, vetëm një vend më lart se Shqipëria.

Në vitin 2006, shqiptarët të 9-t në “Green Card”

Por, edhe gjatë vitit 2006, shqiptarët duket se kanë qenë mjaft të privilegjuar nga lotaria në fjalë. Plot 2.504 bashkatdhetarët tanë kanë fituar tashmë të drejtën për të shkuar përtej Atlantikut, duke e renditur vendin tonë në radhën e nëntë të shteteve me më shumë të pranuar në lotarinë amerikane.

Në vend të parë, pra më të privilegjuarit duket se kanë qenë etiopianët, me 6.995 aplikime të pranuara, të pasuara nga dy vende të tjera afrikane, Egjipti dhe Maroku, me 6.439 dhe 5.980 “Green Card”-e të aprovuara. Vlen të theksohet se vendi ynë ishte në vend të tretë në Evropë në lotarinë e këtij viti, pas Ukrainës dhe Polonisë.

Ndërkohë që një vit më parë, me anë të lotarisë në fjalë janë pranuar 1.896 persona, të cilët këtë vit do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara, çka e solli vendin tonë në 30 shtetet me më shumë aplikime të aprovuara për “Green Card”.

Pjesëmarrësit e “Green Card”

Në lotarinë më të përhapur në botë, pra në “Green Card”, marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës, me përjashtime që bëhen herë pas here. Këtë vit, nga Evropa nuk do të kenë të drejtë të aplikojnë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar, me përjashtim të Irlandës së Veriut, pasi qeveria amerikane e ka cilësuar të panevojshme që këta qytetarë të konkurrojnë.

Për më tepër, as rusët dhe polakët nuk do të mund të aplikojnë, me arsyetimin se në Shtetet e Bashkuara, popullsitë që kanë origjinën nga këto dy vende janë në masë të madhe. Lotaria “Green Card” ka filluar që prej vitit 1996 në të gjitha vendet e botës dhe është pjesë e strategjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të thithur fuqi të re punëtore dhe intelektuale në kontinentin përtej Atlantikut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›