30-vjeçarja djeg veten me benzinë
Një vajzë e re ka tentuar t‘i japë fund jetës, duke i vënë flakën vetes me benzinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që policia është njoftuar nga spitali, kur familjarët kanë dërguar të dëmtuarën për kurim. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se Marjeta Osmani kishte tentuar të vetëvritej sapo ishte zgjuar në mëngjes, për shkak të gjendjes së saj të rëndë shëndetësore. Sipas të dhënave të policisë, në orën 08.30 është njoftuar se në spitalin universitar "Nënë Tereza", pikërisht në repartin e djegies, ka shkuar Marjeta Selman Osmani, 30 vjeçe, banuese në rrugën "Sabaudin Gabrani". Me t‘u njoftuar, policia ka mbërritur në spital dhe ka marrë kontakt me familjarët e vajzës, e cila ka pësuar djegie të shumta, në lidhje me motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Kështu, nga mbledhja e informacioneve ka rezultuar se shtetësia e mësipërme, për shkak të gjendjes së rëndë fizike dhe problemeve mendore, që vuan prej kohësh, është vetëdjegur me benzinë që në mesnatë, kur ndodhej në banesën e saj. Policia tha se ajo ka tentuar të vetëvritet, por familjarët e kanë ndaluar, duke ndërhyrë në një kohë të shkurtër, të cilët më pas e kanë dërguar në spital. Megjithatë, burimet spitalore bënë të ditur se ajo ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe nuk japin shumë shpresë.