"Anteo" prangos edhe dy vëllezër për vjedhje
Dy vëllezër të vënë nën akuzën e vjedhjes së makinave janë kapur nga uniformat blu të kryeqytetit. Ata dyshohen se kanë qenë të lidhur me grupin e shkatërruar pak ditë më parë gjatë operacionit "Anteo". Në lidhje me këtë, Policia e Tiranës bëri të ditur se strukturat e hetimit të krimit, të seksionit të posaçëm kundër vjedhjes së automjeteve, në vazhdimësi të operacionit "Anteo", ku u arrestuan tre persona, gjatë ditës së djeshme kanë vënë në pranga Enver dhe Pëllumb Stafukën, përkatësisht 42 dhe 37 vjeç. Sipas informacioneve zyrtare, arrestimi i tyre u krye, pasi janë zbuluar duke shitur një sasi bizhuterish në Fushë-Krujë, në dyqanin e shtetasit Xh.E., bizhuteri të cilat kanë qenë brenda automjetit tip "Mercedes Benz" me targa TR 6940 L, vjedhur në 27 janar 2009 në Tiranë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, u kap edhe një pistoletë e tipit "TT", si dhe mjeti me targa TR 1294 H, i cili dyshohet se është i vjedhur. Burimet policore shpjeguan se nga ana e oficerëve pranë seksionit të vjedhjes së automjeteve, mjeti dhe pistoleta u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, nga strukturat e hetimit të krimit vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre vëllezërve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.