Durrës, fëmija 8 vjeç mbytet në lisharse
Dy vetëvrasje brenda një dite. Leonard Molla ka varur veten në zdruktharinë që kishte marrë me qira, shkak depresioni
Djali i vogël po luante me shokët kur pa dashje litari i është përdredhur në qafë duke e mbytur
DURRËS- Dy vetëvarje, njëra prej tyre aksidentale kanë tmerruar ditën e djeshme banorët e lagjes Spitallë të qytetit të Durrës. Viktimat, një djalë tetë vjeç dhe një tjetër 27 vjeç, kanë humbur jetën në mënyrë tragjike.
Fëmija ka humbur jetën aksidentalisht kur ishte në lojë e sipër me shokët e tij të një moshe. Koka e tij është ngatërruar me litarin e lisharses dhe pesha trupit i ka sjellë mbytjen.
Vetëvarja
Leonard Molla, 27 vjeç, nuk ka shkuar si zakonisht pas punës në shtëpi dhe kur është vonuar familja e shqetësuar ka nisur që ta kërkojë. Ai nuk i përgjigjej telefonit ndërsa shokët dhe miqtë nuk kishin asnjë ide se ku mund të ndodhej.
Në këto kushte, familjarët kanë denoncuar në polici zhdukjen duke thënë se 27- vjeçari kishte një periudhë kohe që shfaqte shenja depresioni në familje pasi ankohej shumë për mos ecurinë e punëve dhe vështirësitë që përballonin. Ai punonte së bashku me të atin në një repart zdrukthtarie që e kishin marrë me qira, por kriza ekonomike pothuajse ua kishte bllokuar punën.
Pasi e ka kërkuar tërë natën, në mëngjes i vëllai ka shkuar në vendin e punës. Por kur ka hapur derën është gjendur përpara pamjes makabre të të vëllait që kishte varur veten. Ai ka njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes së bashku me ekspertët mjeko-ligjorë dhe ka kryer veprimet e para.
Mjekët thanë se Leonard Molla kishte vdekur gjatë natës si pasojë e vetëvarjes në litar. "Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.15 të qytetit, në ambientet e një zdrukthtarie, të cilën viktima e kishte marrë me qira dhe punonte së bashku me babanë e tij",- thanë burimet policore. Viktima ishte i martuar dhe priste një fëmijë.
Deri tani, policia nuk ka arritur ende ne një konkluzion të përcaktuar mbi pistën e ngjarjes, për rrethanat që e kanë shtyrë të riun t'i jepte fund jetës, por përcaktimi paraprak ishte vetëvarje nga depresioni. Hetuesit kanë marrë në pyetje të njohurit dhe pjesëtarë të familjes së tij në lidhje me ngjarjen.
Aksidenti
Ndërkohë, pak orë më pas, po në të njëjtën lagje të Durrësit, ka ndodhur edhe një tjetër ngjarje e rëndë. Një fëmijë tetë vjeç ka humbur jetën aksidentalisht, edhe pse është dërguar me shpejtësi në spitalin e qytetit. Viktima ishte një fëmijë e vogël, tetë vjeç. Në momentin që ai ka shkuar përpara mjekëve ishte gjithçka e kotë.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë dje se fëmija me inicialet A. L ishte duke luajtur me bashkëmoshatarët kur litari i lisharëses i është ngatërruar me qafën. Atij i është mbështjellë litari në fut ndërsa pesha e trupit dhe inercia e lëvizjes i kanë shkaktuar mbytjen. Fëmija kishte ardhur nga zonat e veriut dhe banonte ne lagjen Spitallë.