E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e drejtorit arsimor

Petraq Kutulla urdhëroi dy ditë më parë nxënësit që të dilnin në mitingun e kryeministrit Sali Berisha


VLORË- Të rinj të qytetit të Vlorës kanë protestuar dje para drejtorisë arsimore, ku kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kreut të drejtorisë arsimore, Petraq Kutulla për shkak se ka detyruar nxënësit që të dalin në mitingun e kryeministrit Berisha dy ditë më parë. Të rinjtë, të cilëve u janë bashkuar dhe studentë të universitetit Ismail Qemali, kanë reaguar me një deklaratë për shtyp përpara drejtorisë arsimore të rrethit.

Me parullat "Ora e mësimit është e shenjtë" dhe "Nuk futesh në Evropë duke braktisur orën e mësimit", ata kanë kërkuar që kreu i arsimit të Vlorës, Petraq Kutulla të japë dorëheqjen pas urdhrit të dhënë prej tij dy ditë më parë.

Ata e kanë quajtur shkelje të ligjit, si mund të detyrosh nxënësit të bëhen pjesë e mitingjeve elektorale, siç ndodhi një ditë më parë në mitingun e PD, ku kryeministri i vendit Berisha u takua me rininë demokrate vlonjate.

"Ne dhe gjithë brezi ynë duam të jemi qytetarë të arsimuar, të denjë për në Evropën e arsimuar e jo si qytetarë të politikës së rrugës e mitingjeve të detyruara. Kuptohet fare letë se keni shkelur ligjin për arsimin, keni denigruar misionin fisnik të mësuesit dhe meqenëse arsimi dhe problemet e tij janë të fundit që ju shqetësojnë kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme prej jush",- thanë të rinjtë vlonjatë.

Po dje, pas kërkesës për dorëheqje, kanë reaguar drejtues të forumit rinor të PD, dega Vlorë. Ata kanë falënderuar rininë vlonjate për pjesëmarrjen në takimin e dy ditëve më parë kanë deklaruar se arritjet në arsimin parauniversitar dhe atë universitar në Vlorë janë të pamohueshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›