E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, mungesa e avokatëve

05/05/2009  “Rrëmujë” në gjyqin e tragjedisë së Gërdecit, lexohen emrat e të pandehurve

shtyn që në nisje seancën e parë

TIRANË- Fillon me shtyrje maratona gjyqësore në Gjykatën e Lartë, në ngarkim të 29 të pandehurve akuzuar për tragjedinë e Gërdecit në 15 mars 2008. Salla e madhe e përgatitur në Gjykatën e Lartë ishte e mbushur plotë me të pandehur, avokatë dhe persona të interesuar nga familjet e tyre. Seanca ishte caktuar për të filluar në orën 10.00. Ndërkohë që trupi gjykues, i cili duhej të njihej me palët në gjykim pati fatin e keq, të qëndronte në sallë vetëm pak minuta. Në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm tre nga të pandehurit kryesor, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli. Ndërsa një pjesë e mirë e të pandehurve ishin të përfaqësuar nga avokatët mbrojtës të tyre. Trupi gjykues i kryesuar nga Besnik Ymeraj thirri një nga një emrat e të 29 të pandehurve. Ndërsa doli që mes tyre një pjesë e mirë mungonin së bashku me avokatët. Në seancën e parë gjyqësore gjykata do të bënte njohjen me palët në proces. Pas njohjes me palët dhe mungesën e tyre gjykata u detyrua të shtyj seancën gjyqësore. Në seancën e parë u vërejt që një pjesë e mirë e avokatëve mbrojtës ishin pa prokurë të posaçme. Seanca gjyqësore u shty për t’u rihapur sërish në pritje të avokatëve dhe të pandehurve në datë 11 maj. Mes të pandehurve që akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit 2008 është edhe ish- ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndërsa ndodhet edhe gjenerali Luan Hoxha. Pritet që ky proces të jetë një nga më të gjatët, zhvilluar si çështje themeli në Gjykatën e Lartë. Dy janë arsyet e zgjatjes së këtij procesi.

Shkaku i shtyrjes

Arsyeja e parë është numri i madh i të pandehurve dhe avokatëve mbrojtjes dhe arsyeja e dytë është mundësia e paraqitjes së numrit të madhe të dëshmitarëve që janë në listën e akuzës. Sipas Prokurorisë, në këtë proces maratonë që ende nuk është hapur pritet të japin dëshminë e tyre rreth 400 dëshmitarë. Mes dëshmitarëve rreth 100 do të jenë përfaqësues të firmës, e cila merrej me demontimin e predhave dhe fishekëve në Gërdec. Por ndërsa janë 29 të pandehur, në dosje është shtuar edhe akuza kundër përfaqësuesit të shoqërisë “Alb- Demil”. Një padi tjetër në Gjykatën e Lartë është edhe ajo që kanë bërë banorët e Gërdecit, të cilët humbën të afërmit e tare. Ata kërkojnë një dëmshpërblim nga shoqëria “Alb- Demil”. Për Gjykatën e Lartë është procesi i parë me një numër të madh të pandehurish. Fatmir Mediu mbrohet në këtë proces nga avokati Ardian Visha. Hetimet e dosjes “Gërdeci” kanë filluar menjëherë pas shpërthimit të datës 15 mars 2008. Në këtë shpërthim humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Menjëherë pas tragjedisë ish-ministri Mediu dha dorëheqjen duke i hapur rrugën hetimeve. Mediu më pas u mor në pyetja nga organi i akuzës për të sqaruar situatën dhe pak kohë më vonë u mor në cilësinë e të pandehurit.

Kush mungonte dhe kush ishte nga të pandehurit apo avokatët e tyre

1- Fatmir Mediu nuk ishte i pranishëm në gjyq. Avokat të tij ishin Ardian Visha dhe Petrit Serani. “Zoti gjyqtar. Ne avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serani kemi një prokurorë të lëshuar në datën 11 shkurt të këtij viti nga z. Fatmir Mediu, i cili na autorizon që ta përfaqësojmë deri në Gjykatën Kushtetuese. Jemi dakord për ta përfaqësuar”, tha Visha.

2-Ylli Pinari ka autorizuar avokatin Vladimir Bineri me një autorizim të datës 29 prill të këtij viti. Pasi kolegji penal ka marrë autorizimin, gjykata ka konstatuar se ka një parregullsi, pasi nuk përcaktohet mbrojtja e Pinarit edhe në momentin që është në mungesë. Por avokati Bineri tha se i pandehuri ka lëshuar edhe një deklarata tjetër ku bën me dije se donte të mbrohej nga avokatit Vladimir Bineri dhe Klodian Gjermeni.

3-Ardian Mullai, ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ka zgjedhur si përfaqësues ligjor avokatin Vladimir Meçe me anën e një prokure të datës 1 maj 2009.

4-Shkëlzen Madani. “U thirr nuk u paraqit i pandehuri Shkëlzen Madani. Gjykata i ka dërguar një shkresë në datën 27 mars 2009 me anën e avokatit Hysni Beti. Me një shkresë të protokolluar në Gjykatën e Lartë, avokati Beri kërkon shtyrjen e seancës, pasi ka marrë një raport me katër ditë pushim nga data 2 deri në datën 6 maj.

5-Gjykata ka kërkuar të pandehurin Dashnor Çaushi. Gjenerali në shkarkim ka kërkuar që të mbarohet me përfaqësuesin ligjor avokat Mark Pëllumbi edhe në mungesë.

6- Pas Çaushajt, kryetari i seancës së djeshme gjyqësore, lexoi emrin e Armand Tartarit. Ky i pandehur me një prokurë i jepte të drejtë avokatit Mirash Martini që ta përfaqësojë edhe në mungesë.

7- I shtati në listën e të pandehurve të Gjykatës së Lartë për çështjen “Gërdeci” ka qenë ish-kreu i shtabit të përgjithshëm, Luan Hoxha. “Unë Jam Luan Hoxha dhe i jap të drejtë avokatit Ibrahim Lahi që të më përfaqësojë edhe në mungesë”, tha ish-numri një i ushtrisë shqiptare, ndërsa avokati tha se dëshiron të mbrojë interesat e të pandehurit Luan Hoxha.

8- Pas kreut të shtabit është renditur, jo për nga përgjegjësia, zv/shefi i shtabit Agim Lala, i cili nuk ka qenë prezent në sallën e gjyqit. Sipas gjykatës, mosardhja e tij në këtë seancë gjyqësore ka qenë për arsye objektive, ndërsa autorizonte avokatin Artan Kodheli për të përfaqësuar në Gjykatën e Lartë.

9- Pas Lalës është radhitur i pandehuri Shpëtim Spahiu, i cili kishte përfaqësuar me prokurë avokatin Vladimir Meçi. Përfaqësimi do të ishte edhe në mungesë.

10- Drejtuesi i seancës Besnik Imeraj ka lexuar të pandehurin e radhës, i cili ishte Zija Bahja. Gjenerali në lirim do të mbrohet nga avokati Luan Hasanaj dhe Xhemal Gazidede edhe në momentin që i pandehuri Bahja të jetë në mungesë.

11- Ndue Marku ka qenë personi i radhës i akuzues dhe i dërguar në Gjykatën e Lartë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ky i pandehur do të mbrohet nga avokati Bujar Himçi.

12- Ilmi Leçaj ka zgjedhur për t’u mbrojtur në Gjykatën e Lartë nga avokati Agim Tirana.

13- Ndërsa Adriatik Mema, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka marrë pjesë në seancën e djeshme gjyqësore, pasi ishte jashtë shtetit. Sipas gjykatës, Mema ndodhet në Romë, ku ka emigruar pas ngjarjes së rëndë. Motra e të pandehurit, Trëndelina Shoshi, i ka dhënë një autorizim avokatit Alfred Balla ta përfaqësojë të vëllain edhe në mungesë.

14- I katërmbëdhjeti në listë ishte i pandehuri Rezart Tërshana, i cili do të mbrohet nga avokati Eno Bushi.

15- Jorgo Mino do të mbrohet nga avokati Leonard Dingo, i cili ka deklaruar se do ta mbrojë klientin e tij në Gjykatën Ushtarake të Shkallës së Lartë, të Apelit Ushtarak, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strasburgut. Avokatit i është tërhequr vëmendja se tashmë nuk ka Gjykatë Ushtarake.

16-Gëzim Oshafi do të mbrohet në Gjykatën e Lartë nga avokati Alfred Balla.

18- Ndërsa Fatbardh Kuçi do të mbrohet nga avokati Sokol Shazi.

19-Besnik Dauti do të mbrohet nga avokati Eno Bushi.

20 Agim Babameta do të mbrohet po nga avokati Eno Bushi.

21- Ndërsa Zenun Ferra do të mbrohet vetë.

22- Hysni Çoçka do të mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla.

23- I Pandehuri Fari Toska është mbrojtur gjatë hetimeve me një avokat kryesisht, pasi është larguar jashtë shtetit.

24- Fiqeret Mato do të mbrohet nga avokat Koçi Mato.

25- Lavdi Shatro do të mbrohet nga avokatët Gëzim Veleshnja dhe Behar Ipera.

26 Sokol Gjeçi do të mbrohet nga avokatët Nik Progri “Jam Sokol Gjeci dhe avokatët do të më përfaqësojnë nëse jam në gjendje të keqe shëndetësore”

27- Dritan Minxolli në këtë gjykim do të mbrohet nga avokat Arben Prifti. Ky i pandehur në autorizimin që i kishte lëshuar avokatit kishte gabuar gjeneralitetet, kur emrin e kishte shkruar Artan, megjithëse e kishte Dritan.

28 Mihal Delijiorgji do të mbrohet nga avokat Arben Prifti.

29- Liljana Margariti do të përfaqësohet nga avokati Arben Prifti.

30- Po ashtu shoqëria “Albademil do të mbrohet nga avokat Arben Prifti.

Njëri avokat i sëmurë, tjetri në “Gërdec”

Damir Fazlliç dhe avokatët e tij shtyjnë gjyqin

TIRANË- Padia e bërë nga Damir Fazlliç, kundër organit të akuzës për kundërshtim të zgjatjes së afateve nuk u mor dje në shqyrtim nga gjykata. Shkak ka qenë mungesa e vet të pandehurit Fazlliç dhe e avokatëve të tij mbrojtës Ibrahim Lahi dhe Genc Gjokutaj. Ndërsa Ibrahim Lahi kishte lajmëruar se ndodhej në Gjykatën e Lartë për të përfaqësuar të pandehurin Luan Hoxha, Genc Gjokutaj mësohet se ka paraqitur një raport mjekësor për të qenë në rregull me procedurat e gjykatës. Gjykata e shtyu seancën për një datë tjetër në pritje të përfaqësimit të vet të pandehurit dhe avokatëve të tij mbrojtës, të cilët janë të pajisur me prokurë të posaçme. Në të njëjtën ditë janë shtyrë dy procese ai i “Gërdecit” dhe i Damir Fazlliçit. Dy procese që filluan me shumë bujë, por si duket në gjykatë do të ndjekin rrugën e shumë proceseve të tjerë që kanë bërë rrugë të gjatë deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, ka vendosur të ndjekë të njëjtën skemë që ndoqi ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilët për t’i shpëtuar akuzave të Prokurorisë kryen padi ndaj saj, për shtyrje afati apo për nxjerrje të sekretit hetimor. Pothuajse të njëjtën gjë ka kryer edhe biznesmeni Fazlliç, i cili akuzohet në Shqipëri për veprën penale të pastrimit të parave. Damir Fazliç ka dorëzuar në gjykatë një kërkesë me objekt rrëzimin e afatit 1-mujor të hetimit, i cili u shty në datën 6 prill nga Prokuroria e Tiranës. Mësohet se padia mban numrin 771, ndërsa ka si objekt të saj ankimimin e zgjatjes së afateve të hetimit. Në kërkesë, mbrojtja kërkon pushimin e vendimit të Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve ndaj biznesmenit Damir Fazlliç edhe një muaj. Gjykatësi i caktuar për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e palës paditëse. Në rast se gjykata vendos pro Fazlliçit, atëherë Prokuroria duhet të pushojë menjëherë hetimet që ka filluar kryesisht ndaj tij. Ndërkohë që nga pesë letërporositë e dërguara në shtetet e ndryshme të Evropës, aktualisht vetëm Bosnja ka sjellë përgjigje për njësinë hetimore Task-Forcë.

A. Çuka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›