"Matriks", 6.4 vite burg dhe 420 mijë lekë gjobë
Vendimi
Të akuzuarit për vjedhjen e 2 milionë dollarëve nga bankomatet morën dje dënimin
TIRANË- Edhe pse u akuzuan për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove, nëpërmjet klonimit të kartave dhe manipulimit të bankomateve, të arrestuarit e operacionit "Matriks", kanë marrë dënime më pak se minimale nga një trupë gjykuese e Dhomës Penale të Gjykatës e Tiranës.
Vetëm 6 vite e 4 muaj burg për tre të akuzuar, katër prej tyre janë dënuar me nga dy vjet liri me kusht për të mos kryer krim tjetër, për tre prej tyre është caktuar një gjobë për secilin në masën e 140 mijë lekëve, ndërsa për katër të tjerë pafajësia qe "dënimi".
Në këtë mënyrë duket se është shfryrë e gjithë buja e një operacioni të cilësuar si ndër më të suksesshmit, për Policinë Shqiptare, madje edhe kjo e cilësuar edhe nga autoritetet e huaja.
Vendimi i djeshëm i dhënë nga Gjykata e Tiranës, duket se është një shuplakë e fortë dhënë punës së policisë. Dënimet e dhëna duket se janë argumentuar me mungesën e provave, ndaj të akuzuarve. Kështu personi që ka marrë dënimin më të rëndë, është Endrit Gjergjani, i cilësuar si kreu i grupit të bankomateve apo "Matriks".
Pas tij, Kreshnik Luga, një tjetër i akuzuar, është dënuar me dy vite burg, ndërsa i fundit i dënuar me burgim, është Alban Bare. Rei Karapici, Enea Çela, Redi dhe Ledio Doko, janë dënuar me dy vite liri me kusht. Fatmir Gorshi, Fatmir Karlmaku dhe Klajdi Therollari, u dënuan me 140 mijë lekë gjobë.
Të akuzuarit e tjerë u shpallën të pafajshëm nga trupi gjykues i drejtuar nga Petrit Çomo. Të akuzuarit, kishin kërkuar gjykim të shkurtuar nga gjykata, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria e Tiranës dhe dërgimit të saj në gjyq.
Tashmë, nga të gjithë të akuzuarit në burg kanë mbetur vetëm dy persona ndërsa pjesa tjetër kanë fituar lirinë e "shumëpaguar" me tensionin që kanë kaluar për gjatë kësaj kohe në hetim e më pas në gjykim. D. Biçaku
Endrit Gjegjani, 3 vjet e 4 muaj burg
Kreshnik Luga, 2 vjet burg
Alban Bare, 1 vit burg
Rei Karapici, 2 vjet liri me kusht
Enea Çela , 2 vjet liri me kusht
Redi Çikani, 2 vjet liri me kusht
Ledio Doko, 2 vjet liri me kusht
Fatmir Gorshi, 140 mijë lekë gjobë
Fatmir Karlmaku , 140 mijë lekë gjobë
Klajdi Therollari,140 mijë lekë gjobë
Anil Gjegjani,i pafajshëm
Endrit Abazi, i pafajshëm
Blerim Abazi, i pafajshëm
Flamur Gashi ,i pafajshëm