E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi për shembjen e pallatit, banorët: Faji i firmës

Gjirokastër, tetë prej banorëve të dëmtuar kanë dëshmuar dje në gjykatë "Shihnim se si shkatërrohej çdo ditë pallati"

GJIROKASTËR- Seanca e radhës në procesin gjyqësor për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të gjashtë muajve më parë, kur u shemb një pallat nëntëkatësh në qytetin e Gjirokastrës, ka nxjerrë përpara trupit gjykues në Gjykatën e Shkallës së Parë, nëntë dëshmitarë, tetë prej të cilëve banorë të ish-pallatit. Ata kanë dhënë versionin e tyre për ngjarjen, madje kanë dhënë informacione edhe për ditët përpara se pallati të shembej.


Të gjithë ish-banorët e pallatit kanë pohuar se qysh prej momentit në të cilin filluan punimet për ngritjen e qendrës tregtare e deri në mëngjesin e nëntë nëntorit, kur ndodhi edhe rrëzimi kanë ndjerë zhurma, tronditje, krisje dhe ndotje të mjedisit nga punimet që firma "Arti shpk" po kryente. Ndërkaq, gjatë seancës së të martës do të pyeteshin 17 dëshmitarë, tetë prej të cilëve nuk janë paraqitur. Për këtë arsye seanca është shtyrë për në datën 1 qershor.


Pas mbylljes së dosjes hetimore në muajin mars të këtij viti, Prokuroria e Gjirokastrës çoi si të pandehur para trupit gjykues shtatë persona, ndërmjet të cilëve pesë punonjës të administratës së bashkisë së Gjirokastrës.

Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT-së, Alfred Mamani shef i zyrës së urbanistikës, Admir Shehaj, përgjegjës i inspektoratit të ndërtimit, Petrit Maksuti e Leonard Mustafaraj, inspektorë në inspektoratin e ndërtimit akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Ndërsa mbi presidentin e firmës ndërtuese "Arti shpk", Sotiraq Janora dhe inxhinierin zbatues së kësaj shoqërie Gjergji Meçe akuzohen për vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe shkatërrim i pronës me dashje. Më nëntë nëntor të vitit të kaluar një, pallat pesëkatësh në lagjen "11 Janari" të qytetit të Gjirokastrës u shemb, duke shkaktuar tre viktima, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha.

Prokuroria pas hetimeve doli në konkluzionin se shkak për shembjen e pallatit ishin punimet që kryheshin për ndërtimin e një qendre tregtare.

Studimi gjeologjik i zonës pas rrëzimit të pallatit tregoi se janë edhe tre godina të tjera në këtë zonë me rrezik për të banuar. Ato janë një banesë private, godina e degës ushtarake dhe një pallat tetëkatësh, aktualisht i pabanuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›