E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi: Si u vra Fatmir Xhindi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, rrëfeu gjatë emisionit "Opinion" krimin ndaj deputetit Fatmir Xhindi, si dhe motivet e krimit sipas tij

Si u njoftuat për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi ?


Unë jam njoftuar për ngjarjen që nga momenti, kur një punonjës policie i qarkullimit rrugor, të qarkut të Fierit ka parë duke lëvizur me shpejtësi, makinën e deputetit të ndjerë në drejtim të Fierit. Aty jam njoftuar se deputeti është i plagosur dhe se është nisur në drejtim të spitalit.

Përpara ishte makina me të dëmtuarin të ndjerin, ndërsa mbrapa ishte makina e deputetit me familjarët. Fuoristrada ka ndaluar për një moment ku është ndodhur punonjësi i policisë, për të ndryshuar shoferin për të ecur më shpejt sepse ka qenë djali në timon.

Aty është njoftuar punonjësi i policisë se është plagosur deputeti dhe se është nisur në drejtim të spitalit të qytetit të Fierit.


Nuk ka pasur asnjë informacion paraprak policia për të ndërhyrë dhe për të parandaluar ngjarjen ?


Ky është informacioni që është marrë së pari nga policia. Punonjësi i Policisë menjëherë ka vënë në dijeni sallën më pas dejtuesit e policisë së qarkut Fier dhe menjëherë jam vënë në dijeni unë. Menjëherë kanë nisur hetimet intensive dhe maksimale për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Unë kam vënë në dijeni ministrin e Brendshëm, menjëherë është vënë në dijeni edhe Kryeministri i vendit. Më pas unë menjëherë jam nisur në drejtim të Fierit. Përpara meje është nisur ekipi i hetimit të Krimeve të Rënda, është nisur zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtori i hetimit të Krimeve të Hapura, Shefi i Antiterrorit, ekspertë të laboratorit qendror kriminalistik.


Informacioni ishte që kishte vdekur apo që ishte plagosur ?


Në dinamikë unë kam ndjekur situatën, kur mora informacionin që deputeti ishte i vdekur. Kam insistuar që të merren të dhëna të mëtejshme nga vëllai i deputetit, që ndodhej në spitalin e Fierit. Nuk jepeshin rrethana më të hollësishme.

Menjëherë janë ngritur grupet e hetimit me profesionistët më të mirë që kemi, me teknologjinë që kemi në dispozicion për ekspertimet kriminalistike dhe të gjitha mjetet dhe burimet njerëzore që duhen për raste të tilla, sepse kjo është një ngjarje shumë e rëndë.


Kanë filluar veprimet hetimore me ekspertimin mjeko- ligjor të kufomës dhe sigurimin e vendit të ngjarjes nga strukturat e policisë, për të bërë këqyrjen e hollësishme dhe për të fiksuar çdo provë materiale që gjendje në vendin e ngjarjes t'u vlerësuar gjatë ecurisë së hetimit. Në vendngjarje janë kryer veprime gjatë natës, por që kanë vazhduar edhe të nesërmen, për të përcaktuar më pas edhe dinamikën e veprimeve të autorit dhe viktimës. Kjo pasi ka goxha imtësi që duheshin fiksuar.


Ka pasur gjurmë të dukshme në vendin e ngjarjes ?


Çfarë është fiksuar në vendin e ngjarjes, ne e kemi bërë publike, janë fiksuar gëzhojat që i përkasin armës automatike, është fiksuar një tabletë me aspirina, një qese plastike që mendohet se janë të autorit, deri në momentin e kryerjes së krimit, si dhe janë fiksuar të gjitha gjurmët që autori ka lënë.


Ka pasur një autor apo shumë autorë në vendin e krimit ?


Në ekzekutimin e viktimës, ka qenë një autor. Nëse ka qenë i mbështetur me infrastrukturën e duhur për të kryer këtë krim mjaft të rëndë kjo është një aspekt që e sqaron hetimi procesi i mëtejshëm.


Në informacionin paraprak si ndodhi ngjarja ?


Duhet të kemi parasysh që jam instaluar në Fier deri sot, që nga momenti kur ka ndodhur ngjarje. Mos harrojmë që hetimin e drejton Prokuroria e Krimeve të Rënda, janë atashuar atje prokurorët më të mirë të kësaj prokurorie, Specialistë të Policisë së Shtetit, SHISH, dhe ekspertët mjeko- ligjorë, ekspertë kriminalistë.

Oficerët janë të instaluar jo vetëm për vendin e ngjarjes, por edhe për marrjen e informacionit dhe përpunimin e tij, në pyetjen e dëshmitarëve. Deri më sot janë pyetur 30 dëshmitarë që kanë dijeni mbi hetimin dhe tregojnë rrethana të dobishme të ngjarjes.

Grupi i hetimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, analizon kohë pas kohe, veprimet hetimore të kryera nga agjentët dhe oficerët e policisë, për të përcaktuar më pas hapat e mëtejshëm të hetimit.

Kemi hetuar veprimtarinë ditore të të ndjerit, që nga momenti që ka dalë nga shtëpia në Fier, e deri kur është kthyer, kur ka ndodhur ngjarja. Ai ka dalë nga shtëpia, ka vazhduar veprimtarinë e tij private në qytetin e Fierit dhe më pas në fshatin, pranë Roskovecit, ku kishte disa prona.

Rreth orës në 19:30, është kthyer në Roskovec, ka qëndruar në një lokal për kafe. Po me makinën e tij, është afruar pranë shtëpisë, ku porta e shtëpisë ka qenë e hapur, sepse pritej të vinte. Në momentin kur ka dalë nga makina tek bagazhi, është qëlluar pas shpine.


Është qëlluar nga jashtë shtëpisë ?


Disatanca e viktimës me autorin ka qenë 7-8 metra në fillim dhe më afër pastaj. Gjithmonë nga jashtë shtëpisë. Distanca e viktimës me portën është shumë e afërt, por dhe distanca e autorit me viktimën dhe me portën është e afërt.


Është qëlluar me breshëri ?


Është qëlluar me breshëri. Viktima ka 6 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë fiksuar 15 gëzhoja.


A ka pasur njerëz që kanë fiksuar përpara vrasjes lëvizje rreth shtëpisë ?


Detyrimisht këto janë detaje të hetimit që ne po i vlerësojmë maksimalisht. Të mos harrojmë se hetimi është sekret dhe unë jam i detyruar të jap aq sa duhet.


A ka pasur sinjalizime për kërcënime ndaj deputetit ?


Asnjëherë. Ne nuk disponojmë asnjë informacion ose ankim të të ndjerit, për kërcënime. Po vlerësohen të gjitha informacionet dhe të gjitha rrethanat që lidhen me këtë gjë. Kanë qenë shumë pista.

Policia ka ngritur shumë versione, duke bërë verifikime me qëllim që të hetohet, ose të përjashtohet versioni. Nga shumë versione në fillim, tani jemi përqendruar në shumë pak.


Kanë kaluar më shumë se 72 orë nga ngjarja. Kjo është në disfavorin tuaj ?


Z.Fevziu Kjo është një ngjarje shumë e rëndë shumë komplekse. Ne i kemi përqëndruar të gjitha kapacitetet tona për hetimin e kësaj ngjarjeje.

Të gjithë kapacitetet janë angazhuar dhe po punohet 24/24, ju siguroj që kjo punë do vazhdojë. Jemi të interesuar që të kemi para drejtësisë autorët. Nuk duhet nxituar, për daklarata.
Problemet e pronësisë i ka përjashtuar i vëllai ..
Të bëj prezente pistat është sinjal.


Masa komplekse, oficerë që kryejnë veprime proceduriale me marrjen e informacionit në vendin e ngjarjes. Që merren me analizën e rëndësisë së informacionit, grupe hetimi që verifikojnë.


A është përgjegjësi e policisë e SHISH-it që nuk ka pasur asnjë informacion për parandalimin e krimit?


Do të gjykojmë pas arrestimit dhe identifikimit të autorit. Nuk kemi pasur asnjë ankesë apo informacion dhe angazhimi i policisë ka nisur pas ngjarjes. Detyrim për mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe duhet të ketë një indice, si ankim nga deputeti, informacione të marra në rrugë operative.

Autori s'ka ku largohet. E rëndësishme është dokumentimi. i ngjarjes me prova të pakontestueshme, për të mos u bërë. Telefoni është një nga burimet e informacionit.


Sa vetë po punojnë për hetimit e ngjarjes?


Rreth 100 vetë po hetojnë. Janë marrë deklarime nga familjarët të cilat janë të dobishme. Do merren deklarime që do të krijojnë të gjithë kuadrin e hetimit.
Marrë nga Tv Klan

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›