E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, fundjava me diell afron pushuesit

Plazhi

Fundjava e ngrohtë dhe me diell ka ftuar njerëz të shumtë pranë bregdetit të Durrësit. Më të guximshmit kanë guxuar të lahen në det, ndërsa të tjerë kanë shijuar shëtitjet, flladin e lehtë dhe diellin e ngrohtë shoqëruar me lojërat në rërë. Bregdeti i Durrësit është një nga më të frekuentuarit në vend dhe pritet që me nisjen e sezonit turistik, një numër shumë i lartë pushuesish ditorë dhe sezonalë të stacionohen për të pushuar. Fundjava ka zbarkuar në bregdet njerëz të moshave të ndryshme dhe nga qytete të ndryshme, veçanërisht nga Tirana, Durrësi e Elbasani. Janë shfaqur prej dy-tri javësh edhe shitësit ambulatorë për të siguruar fitimet e para nga dashamirësit e bregdetit në pranverë. Ndërkohë, operatorët turistikë kanë nisur përgatitjet për të pritur qoftë edhe pushuesit ditorë të kësaj periudhe. Nga një vëzhgim rastësor bien në sy të njëjtat probleme që do të karakterizojnë edhe sezonin e sivjetshëm turistik. Mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza përtej sektorit të Plepave në plazhin e Durrësit drejt Shkëmbit të Kavajës e më tutje, tualetet e pakta publike dhe tendenca që tani për të copëtuar brezin e rërës dhe ofruar shërbime veç për klientët, ende pashlyer asnjë detyrim ndaj bashkisë, së cilës hapësirat publike i përkasin janë problemet kryesore që hasen në plazh ende pa nisur sezoni. Edhe këtë verë do të japin ndikimet e tyre nëse nuk ndërhyhet konkretisht për të disiplinuar zaptimet dhe me investime për të siguruar një plazh sa më pak të ndotur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›