Emigrantët e Livadhjasë mësyjnë në zyrën e pasaportave të reja
Vijon fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe për festën e Pashkës. Sipas statistikave, nga pikat kufitare të Kakavijës dhe Qafë-Botës, si dhe me rrugë detare përmes portit të Sarandës, llogaritet në rreth 5 mijë veta numri i emigrantëve dhe studentëve të ardhur nga shtetet fqinje. Shumë prej tyre kanë përfituar nga rasti për të aplikuar për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Kryetari i Komunës së Livadhjasë, Irodhi Dalani, thotë se këto ditë mund të jenë kthyer më shumë se dy mijë veta. “Kjo është Pashka e parë që vijnë kaq shumë emigrantë me familjet dhe makinat e tyre private, pasi superstrada në ndërtim e sipër që kalon nga qendra e komunës dhe prek një radhë fshatrash të saj, duket se ka lehtësuar udhëtimin”, shprehet Dalani. Shumica e të ardhurve me rastin e Pashkëve në shtatë fshatrat e Livadhjasë janë emigrantë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit, kryesisht në Greqi. Ndërkohë, punonjësja e zyrës së aplikimit për kartat e identitetit ka sqaruar për “Shqip” se numri i aplikimeve për dokumentet e reja shkon në 250, duke bërë që orari i shërbimit të zgjatet deri në 12 orë.
#