Vdekja në autostradë, pakujdesi e punëtorit
Pakujdesia ka qenë shkaku i vdekjes së Përparim Kryeziut, 36-vjeçarit nga Librazhdi, i cili u rrëzua nga një urë që po ndërtohet në autostradën Durrës-Kukës. Ky ka qenë versioni që ka nxjerrë grupi i hetimit, një ditë pas ngjarjes së ndodhur në urën 6, të segmentit Kolsh-Kukës. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit tregojnë se pas ngjarjes janë marrë në pyetje një numër personash, kryesisht drejtues të punimeve dhe përgjegjës të sigurisë. Atyre u janë kërkuar shpjegime për rrethanat e aksidentit, por dhe për kushtet teknike në të cilat punojnë punëtorët e autostradës. Ndërkohë, mësohet se janë regjistruar dhe fotografuar detaje të vendit ku u rrëzua 36-vjeçari Përparim Kryeziu. Viktima punonte prej kohësh si specialist i urave në montimin e trarëve dhe ngritjen e armaturës së hekurit. Ai ka qenë duke punuar bashkë me një numër punëtorësh, në një lartësi prej 70 m, ndërsa me marrjen e sinjalit të pushimit të drekës, ai ka nisur të ecë mbi një platformë llamarine, kur njëra prej tyre është zhvendosur duke shkaktuar aksidentin tragjik.
Pas analizimit të të dhënave dhe dëshmive të mbledhura, drejtori i policisë së qarkut, Ali Elezi, ka pohuar se ngjarja ka ndodhur nga një pakujdesi e punëtorit dhe se ngjarja ishte aksidentale. Pak a shumë të njëjtin version të ngjarjes ka pohuar edhe prokurori i rrethit, ndonëse zyrtarisht deklaron se hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe versioni zyrtar do të dalë pas disa ditësh.
Pas ngjarjes tragjike punëtorët që punojnë për ndërtimin e njërës prej urave së autostradës, kolegët e viktimës, u rebeluan duke ngritur zërin për kushtet teknike dhe puna u ndërpre për disa orë. U desh ndërhyrja e policisë, e cila kishte shkuar për të mbledhur dëshmi për ngjarjen, që situata të normalizohej. Ata kërkuan sigurimin e kushteve teknike, ndërkohë që kanë pohuar se punonin të palidhur me rripa sigurimi. “Punojmë çdo ditë nën rrezik, por mundohemi të tregohemi të vëmendshëm dhe të përqendruar”, tha njëri prej punëtorëve. Punëtorët kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe kanë deklaruar se nuk dëshironin të rinisnin punën pa kushtet e sigurisë teknike.
Por një ditë pas incidentit, në urën 6 dhe në frontet e tjera të segmentit, puna ka vijuar normalisht.
Kujtojmë se 5 muaj më parë, kur në të njëjtin segment të autostradës u aksidentuan me vdekje dy punëtorë, policia ndaloi vinçierin si përgjegjës për aksidentin, por më pas ai u la i lirë, pasi nuk u provua fajësia e tij.