Topi përforcon mesazhin: Duhet rikthimi te dialogu
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka përsëritur mesazhin e tij për kthimin e dialogut dhe komunikimit politik. Pas vizitës që ka zhvilluar në selinë e Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare, kreu i shtetit shqiptar theksoi se “së pari uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë për këtë ditë të madhe, për këtë ditë të ringjalljes në të gjitha kuptimet e fjalës, të rikthimit te besimi, të rikthimit tek optimizmi, të rikthimit te dialogu, të rikthimit te jeta! Besoj se është një ditë që na motivon të gjithëve të japim një mesazh të tillë. Jo rastësisht festat fetare përqendrohen brenda një periudhe të shkurtër në pranverë, çka do të thotë që pranvera sjell me vete edhe besimin te komunikimi, tek ajo që konsiderohet njerëzore, te besimi për t’iu kthyer veprave të mira, vepra për të cilat ne kemi nevojë të gjithë si shoqëri”. Presidenti Topi ka deklaruar gjithashtu se e domosdoshme për drejtuesit e shtetit është përmbushja e kushteve për integrimin në BE. “Ajo përparësi që shfaqet para shqiptarëve sot duket si një refren i përsëritur, por ai që përsëritet dhe që tregon se përbën një dominant për shoqërinë tonë është pikërisht vazhdimi i rrugës së integrimit të Shqipërisë. Atë që përfunduam me NATO-n patjetër që do ta vazhdojmë në Bashkimin Europian”, deklaroi Presidenti i Republikës, pas vizitës në selinë e Kishës Katolike në Tiranë.
TopalliKryeparlamentarja Jozefina Topalli ka lëshuar një mesazh publik ndaj opozitës për të rinisur dialogun politik me të. Megjithëse nuk ka dhënë një sinjal politik për mënyrën sesi do të ‘riqepet’ e çara e madhe që ndodhi në seancën e 19 marsit, kryetarja e Kuvendit, duke dalë nga selia e Kishës Ortodokse, ku bëri urimet përkatëse për festën e Pashkëve, deklaroi se “kjo është dita në të cilën duhet të mendohet më shumë për dialogun në Parlament, për bashkëpunimin, për pajtimin, për kapërcimin e situatave artificiale dhe për të menduar për atë që është më e rëndësishme për vendin dhe jo për atë që është në axhendën personale; për të menduar për atë që kanë më shumë interes shqiptarët, që është liberalizimi i vizave dhe jo për interesin partiak apo personal në sjelljet politike apo aksionet e ndryshme personale”. Në fakt, qëndrimi i djeshëm i kreut të Kuvendit, ka qenë një thirrje e pastër ndaj opozitës për të marrë pjesë në dialogun politik, por që natyrisht nuk do të ishte e plotë nëse që nga mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve nuk realizohet me veprime konkrete. Edhe pse dita e djeshme përcillte një seri përplasjesh së freskëta mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me sheshin “Skënderbej”, kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, ka preferuar të mos i hedhë “benzinë zjarrit”, edhe pse ka lëshuar një batutë politike. Duke dalë nga Katedralja e Shën Palit në Tiranë, Topalli e pyetur mbi sheshin “Skënderbej”, tha: “Unë besoj realisht shumë dhe e dua fort ambientin. Unë nuk kam qenë kurrë ndonjëherë partizane e piramidave”.
#