E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket Pashka, tre të plagosur në aksidente

Pogradec-Sarandë

Përgjaken sërish akset nacionale të vendit. Një 64-vjeçar nga fshati Cërravë i Pogradecit është aksidentuar rëndë, teksa përpiqej të kalonte në anën tjetër të rrugës. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se Nexhat Maxhari, 64 vjeç, ka qenë duke përshkuar kryqëzimin e fshatit Symiz në rrugën nacionale Korçë-Pogradec, kur është përplasur nga një makinë tip “Benz” me targa të Korçës, i cili lëvizte në drejtim të fshatit Zvirinë. 64-vjeçari nga Cërrava ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit nga vetë drejtuesi i automjetit. Ngjarja rrugore ka ndodhur rreth orës 13.30 të së dielës, kur i dëmtuari që ka qenë këmbësor, sapo kishte zbritur nga një furgon pasagjerësh. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka pohuar se këmbësori ka dalë papritur në rrugë duke i ndërprerë lëvizjen mjetit që udhëtonte në drejtim të qytetit të Pogradecit. Sipas policisë, i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në Sarandë në orët e pasdites së djeshme, si pasojë e përplasjes së një motoçiklete me një furgon, kanë mbetur të plagosur dy të rinj. Burimet policore thanë se aksidenti ka ndodhur në Qafë-Gjashtë, kur një motoçikletë me targa greke që drejtohej nga 19-vjeçari nga Saranda, Aleksandër Seferi, është përplasur me një furgon. Bashkë me 19-vjeçarin udhëtonte 21-vjeçarja Klodiana Rama nga Delvina. Dy të rinjtë janë transportuar për në spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë. Për një ndihmë më të specializuar ata janë transportuar me helikopter për në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›