Durrës, gjendet e vdekur 28 vjecarja nënë e dy fëmijëve
DURRES - Është gjendur nga bashkëshorti e shtrirë përtokë në banesën e saj mes një pellgu gjaku dhe është dërguar në spital. Por, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve gruaja 28-vjeçare ka gjetur vdekjen. Policia thotë se Albana Dalipi, nënë e dy fëmijëve kishte marrë një plagë plumbi pistolete në pjesën e barkut. Ekspertët kanë marrë me cilësinë e provës materiale armën e krimit, të cilën e kanë çuar në laboratorin kriminalistik në Tiranë. Ngjarja ndodhi mbrëmë, në lagjen 17 në ish-Kënetë. Ka qenë bashkëshorti i saj Shkëlqimi, ai që e ka çuar nënën e dy fëmijëve të tij në spital. Ndonëse mjekët e këtij spitali bënë të pamundurën, Albana Dalipi nuk i shpëtoi kthetrave të vdekjes. Grupi hetimor ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar pistoletën tip "TT" në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë lokale, nga intervistat e marra prej të afërmve të familjes, rezulton se 28-vjeçarja kishte disa kohë që vuante nga depresioni. Nga të dhënat paraprake, mendohet se gruaja në kushtet e depresionit është vetëvrarë. Policia ka shoqëruar bashkëshortin e viktimës për akuzën "armëmbajtje pa leje". Sipas burimeve të mësipërme, dyshohet dhe për ndonjë vrasje të mundshme të gruas. Këtë do ta vërtetojë laboratori shkencor në Tiranë nëpërmjet ekspertizës së armës së krimit.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)