E Diel, 1 Nëntor 2026

Motra me të shoqin vrasin vëllanë për biznesin

SHKRUAN: Irena Vreto 18-01-2011 10:35

Korçë- Policia e Korçës zbulon vrasjen e tregtarit, motra dhe i kunati autorë të krimit të rëndë. Vetëm pas më shumë se dy javë pune intensive, blutë e juglindjes kanë mundur të identifikojnë dhe çojnë në pranga dy autorët e dyshuar të krimit. Marsel Grabocka 37- vjeçar, është ekzekutuar me një pistoletë në oborrin e shtëpisë së tij në afërsi të vendit të quajtur “Trekëndëshi”, shumë pranë bulevardit kryesor në qytetin juglindor të vendit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.00 të mbrëmjes të datës 5 janar të këtij viti. Motra e tij Vasilika Tanço, 34 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Niko Tanço, 40 vjeç, kanë qenë projektuesit e krimit dhe realizuesit e tij. Gjatë marrjes në pyetje bashkëshortët Tanço kanë deklaruar se e kanë kryer vrasjen, pasi nuk mund të duronin më borxhet e shumta që ai kishte. Bashkëshortët kanë qenë bashkëpronarë në biznesin privat bashkë me viktimën. Ata posedonin një biznes familjar, të ardhurat e të cilit shkonin të gjitha në duart e 37-vjeçarit beqar. Grabocka ishte i apasionuar pas lojërave të fatit dhe kryesisht basteve sportive, në të cilat vinte shuma të mëdha. Ndërkaq, ai kishte borxhe të shumta që vinin nga kumari. Sipas hetimeve të policisë lokale, mësohet se motra dhe kunati i viktimës të lodhur nga situata e krijuar me borxhe të shumta dhe probleme që përplaseshin tek ta, të shkaktuara nga Marsel Grabocka, kanë inskenuar fundin e tij tragjik. Madje, ata kanë detajuar gjithçka deri dhe momentin kur do të kryhej vrasja, duke shfrytëzuar mungesën e prindërve, që nuk ndodheshin në shtëpi. Burrë e grua kanë shkuar në shtëpinë e Grabockës dhe pasi i kanë kërkuar në pragun e shtëpisë të mos vazhdonte më të merrej me lojërat e fatit, i kanë kërkuar t’i kthente lekët që merrte nga biznesi dhe puna e përbashkët. Mësohet që viktima nuk ia ka vënë veshin fjalëve të motrës, ndërsa kjo e fundit, e bindur për aktin e saj, ka vendosur t’i japë fund jetës. Burime të policisë së Korçës kanë bërë të ditur se gjatë pasdites të së hënës është bërë i mundur arrestimi i dy autorëve të ngjarjes. Vasilika Tanço 34 vjeç dhe Niko Tanço 40 vjeç janë të dyshuarit e krimit, ndërsa akuzohen për veprën penale “Vrasje me paramendim në bashkëpunim”. Policia bën të ditur se në armën e krimit, që ishte një pistoletë TT, janë gjetur shenjat e gishtave, teksa janë dhe prova të tjera që kanë çuar uniformat blu te motra dhe bashkëshorti i saj, në vrasjen e 37-vjeçarit Marsel Grabocka. Dy të pandehurit e këtij krimi e kanë pranuar atë, ndërsa kanë bërë të ditur se gjithçka e kanë kryer vetëm për të mbrojtur familjen e tyre nga rrënimi i madh ekonomik që po u shkaktonte njeriu i tyre. Ngjarja tronditëse është bërë edhe më shokante pas zbulimit të autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. Policia e Korçës ka mundur të gjejë në një vend larg banesës së çiftit vrasës armën e krimit, ndërsa ata janë mbajtur nën vëzhgim fill pas ngjarjes për gjithë aktivitetin e tyre pas saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›