E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, gjendet i djegur në makinën e tij oficeri i SHISH-it

DURRËS- Gjendet i djegur në makinën e tij oficeri i SHISH-it, Isa Çopa. Trupi i pajetë i 49-vjecarit është gjetur sot pas mesnate rreth orës 01:00, në plazhin e Currilave në Durrës. Sipas bluve të qytetit bregdetar, automjeti tip Opel Corsa i Çopës është spërkatur me benzinë, pastaj është djegur.

Kanë qenë familjarët e këtij të fundit që kanë denoncuar zhdukjen e tij në polici. Policia e ka lokalizuar më pas, duke gjurmuar sinjalet e telefonit të tij.

Policia fillimisht dyshoi se Çopa mund të ishte vetëvrarë. Këto dyshime i përforcoi edhe një mesazh tekst që i ka dërguar të birit në telefon, por gjetja e një të çare në makinën e tij, hedh dyshim tek e shtëna me armë. Në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë pistolete.

Siç deklaron policia, ai njihet si një person që nuk ka pasur konflikte. Trupi pritet ti nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

MESAZHI
Para vdekjes ai i ka dërguar një mesazh në celular djalit të tij ku shkruante: “Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar, mbështetu tek nëna jote. Çaje të ardhmen vetë”. Ky mesazh tekst ka mbërritur në telefonin e të birit në orën 18: 30 të ditës së djeshme, e më pas oficeri i SHISH-it ka fikur telefonin. Familjarët janë alarmuar pas mesnate, kur Isai nuk po kthej në shtëpi dhe kanë sinjalizuar policinë, e cila e gjeti 49-vjecarin të karbonizuar në makinën e tij.

DETAJE RRETH VRASJES
Policia e Durrësit rreth orës 14:00 të mesditës së sotme ka zbardhur detaje të reja në lidhje me vrasjen e oficerit të SHISH-it, Isa Çopa. Policia sqaron se trupi i karbonizuar i tij është gjetur në sediljen e pasme të makinës, ndërsa sipër saj është vërejtur një e çarë.
Policia dyshon se e çara mund të jetë shkaktuar nga të shtëna plumbash. Këtë arsyetim e përforcon edhe gjetja e një gëzhoje pistolete në vendngjarje.

.(m.Arapi/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Durrës, gjendet i djegur në makinë oficeri i SHISH-it FOTO: Foto nga vendngjarja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›