E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri- Kosovë vazhdojnë përpjekjet për unifikimin e tregut

TIRANE- Shqipëria dhe Kosova po bëjnë përpjekje për të unifikuar tregjet e tyre. Kjo duke pasur parasysh edhe kërkesat e tregut kosovar për mallra shqiptare. Në funksion të këtij qëllimi, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka zhvilloi një takim me deputetë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e palës kosovare kanë mbështetur propozimin për unifikimin e tregjeve, por kanë kërkuar që Shqipëria të bëjë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që mallrat shqiptare të zëvendësojë ato serbe në tregun kosovar

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë vuri theksin në domosdoshmërinë e mbështetjes së politikës, e deputetëve për bërjen e një formati ligjor, që të jetë në ndihmë të sipërmarrësve të dy vendeve.

“Ne duhet të rendim pas kësaj pasi është e vetmja mënyrë për të hequr çdo lloj pengese e kufiri mes dy vendeve tona. Duhet të jemi më fleksibël dhe të rendim drejt një ekonomie të orientuar duke shkuar drejt një tregu dhe legjislacioni fiskal të unifikuar”- deklaroi Nikolin Jaka.

Nga ana e tij kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë së Kosovës, Zenun Pajaziti tha se “ Nëse doni që këto të mos mbeten vetëm fjalë duhet vetë t’i kaloni këto barriera, mbështetjen e politikës duhet ta keni. Ato që bëmë ne në Kosovë i bëmë sepse na detyroi Beogradi, por nëse ky detyrim nxorri në pah se ne shpenzojmë disa miliona për artikujt e serbisë, atëherë ju duhet të lëvizni më shpejt”

Gjatë periudhës së masave të reciprocitetit që Kosova i vendosi Serbisë, biznesi shqiptar rriti prezencën e tij në tregun kosovar, veçanërisht me produkte ushqimore dhe në sektorin e ndërtimit. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve lehtësohen falë edhe infrastrukturës së ngritur, pas ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›