E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durres, grabiten banesat në mes të ditës

DURRES- Hajduti futet në shtëpi në mes të ditës, krushkat akuzojnë njëra-tjetrën për vjedhje. Ngjarja u regjistrua në mesditë në lagjen Nr 8 të qytetit të Durrësit, pak metra larg Drejtorisë së Policisë. Dy familjet që prej disa vitesh kishin lidhur krushqi, jetonin në të njëjtën godinë, por në hyrje më vete, ndërsa në momentin e grabitjes personat që ishin në shtëpi kishin rënë në gjumë, pasi ishte pisku i vapës. Për shkak të temperaturave të larta, dyert e jashtme të shtëpive që gjenden përballë njëra-tjetrës ishin lënë të hapura dhe hajduti nuk e ka pasur të vështirë për të hyrë brenda dhe të kryente grabitjen. Kur banorët janë zgjuar, kanë parë shtëpinë rrëmujë, ndërsa konstatuan se iu mungonin një sasi parash dhe bizhuteri. Familjet kanë akuzuar njëra-tjetrën për vjedhjet, duke mos besuar se hajduti u fut në mes ditës kur ata ndodheshin brenda. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet. l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›