Durrës, kapen 2.1 kg heroinë dhe dy pistoleta
Policia ka arrestuar Fatjon Çoren dhe tre persona të tjerë të akuzuar për shpërndarje heroine. Në qytetin bregdetar
DURRËS- Policia e Durrësit ka mundur që të bllokojë dje 2.1 kilogramë heroinë si dhe dy pistoleta në përdorim të pronarit të drogës. I arrestuari për drogën e armët quhet Fatjon Çore dhe prej kohësh ishte në ndjekje nga ana e policisë së Durrësit. Hetuesit mendonin se ai bënte pjesë në një rrjet të shpërndarjes dhe trafikut të narkotikëve dhe e kanë mbajtur për ditë të tëra nën vëzhgim. Vetëm dje hetuesit janë hedhur në veprim dhe kanë konkretizuar operacionin e koduar "Sunduku". Përveç Çores, në prangat e policisë kanë rënë edhe tre shpërndarës të vegjël narkotikësh.
Hetuesit pohuan dje se operacioni ka nisur në orët e natës dhe është finalizuar rreth orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm. Fillimisht hetuesit kanë ndjekur tre të dyshuarit si shpërndarës heroine dhe kanë dokumentuar veprimet e tyre. Në një moment policia është hedhur në veprim dhe ka prangosur tre të rinjtë Gerald Rama, Armando Rexhepi dhe Isa Kaja me doza të vogla lënde narkotike. Ata janë kapur në një prej rrugicave të shumta të lagjes numër 18 të qytetit të Durrësit. Gjatë marrjes në pyetje nga policia ata janë "zbërthyer" duke treguar se mallin e merrnin tek një i njohuri i tyre, Fatjon Çore. Pikërisht ky ishte edhe informacioni që i nevojitej policisë së Durrësit e cila menjëherë ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit, e cila ndodhet shumë pranë komisariatit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur edhe sasia dy kilogram e 110 gramë pluhur që mendohet se është drogë e llojit heroinë. "Ndërkohë në shtëpinë e 20-vjeçarit Rama është sekuestruar vetëm 4.2 gramë pluhur me ngjyrë kafe të çelur në qese celofani dhe e dyshuar si heroinë",- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Durrësit. Sipas tyre, agjentët, pasi kanë bllokuar mallin e kapur në banesën e Çores, kanë zbritur shkallët dhe kanë ushtruar kontroll në automjetin e këtij shtetasi nga ku kanë zbuluar edhe dy armë zjarri. "Armët e sekuestruara janë një pistoletë prodhim zviceran, kalibër 9mm, së bashku me krehrin me pesë fishekë dhe një pistoletë "TT", model 54, prodhim kinez, kalibër 7,62 mm së bashku me krehrin me gjashtë fishekë",- thanë burimet zyrtare të policisë. Hetuesit pohuan se Çore shfrytëzonte si "bazë" një depo të xhaxhait të tij, i cili ndodhet në Itali. "Gjetja e dy pistoletave, një prej të cilave TT e tipit kinez dhe një tjetër e prodhimit zviceran na bëjnë të dyshojmë se të arrestuarit e djeshëm janë të lidhur edhe me elementë të tjerë kriminalë. Për momentin jemi duke analizuar armët e gjetura për të parë nëse janë përdorur apo jo në ndonjë vepër tjetër penale",- thanë hetuesit e policisë së Durrësit.