Fier, vetëvaret pas vdekjes së djalit
Fatime Meta, 75-vjeç, u gjet e vetëvarur në kasollen e bagëtive nga familjarët e saj
Fier- I ka dhënë fund jetës pas një fatkeqësie familjare. Një 75-vjeçare nga fshati Jaru i komunës Levan në rrethin e Fierit është gjetur e vetëvarur me litar në kasollen e bagëtive nga familjarët e saj. Sipas policisë, viktima është Fatime Meta, e cila nuk i ka shpëtuar dot shtrëngimit të litarit dhe ka gjetur vdekjen. Ngjarja ndodhi mesnatën e së enjtes, kur e moshuara ka dalë në verandë, ndërsa të tjerët ishin duke fjetur dhe më pas i është drejtuar kasolles së bagëtive, vetëm pak metra më tej shtëpisë. Të afërm të familjes Meta tregojnë se kanë ndjerë lëvizjet e dyshimta të 75-vjeçares, por nuk e kanë ndjekur pas për ta kontrolluar. "Menduam se kishte dalë për ajër të pastër, gjë që prej disa ditësh e bënte shpesh",- tregojnë familjarët, duke shtuar se prej kohësh ajo vuante nga depresioni nervor pas një fatkeqësie familjare. Ndërkohë, bashkëfshatarë të viktimës shprehen se e moshuara nuk kishte marrëdhënie të mira me familjen e saj. Një fqinjë e Fatimes thotë se përplasja e mentalitetit dhe gjendja mendore jo shumë e qëndrueshme, bënin që gruaja të kishte kontradikta të vazhdueshme me nusen e djalit. "Shpesh herë dëgjoheshin të bërtitura nga shtëpia e Fatimes. Ne nuk ndërhynim dot se e dinim që ajo kishte probleme depresive dhe shumë herë grindej edhe me fqinjë këtu afër",- thotë një nga fqinjet. Sipas saj, problemet mendore të viktimës iu rënduan pas vdekjes së djalit të vogël. "Ajo shpesh herë dilte nga shtëpia dhe krejtësisht e çekuilibruar kërkonte djalin që nuk jetonte më. Më vjen keq që bëri një gjë të tillë, sepse ishte një grua e dashur dhe punëtore",- vazhdon më tej ajo.