E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kapet kosovari me pasaportë false

Arrestohet kosovari në port, dyshohet se përdori pasaportë të falsifikuar. Paraditen e së shtunës, udhëtimi drejt Italisë i një shtetasi kosovar është ndërprerë në Portin e Durrësit, pasi policia kufitare ka dyshuar se pasaporta jugosllave që ai zotëron është e falsifikuar. Lidhur me këtë rast, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bën të ditur se u krye arrestimi në flagrancë i 25- vjeçarit Fidan Zekaj, lindur dhe banues në Komunën Istog të Kosovës. Sipas të njëjtit burim, arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 01:30 të ditës së djeshme, ky shtetas u kap nga forcat e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit, sepse tentoi ta kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme për në Itali. Ai ka paraqitur para autoriteteve të policisë kufitare një pasaportë jugosllave në emër të tij, Fidan Zekaj, por kontrollorët kanë dyshuar se ajo është e falsifikuar dhe pasi bënë sekuestrimin e dokumentit, nisën procedimin penal për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›