E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princi Leka mbështet bashkinë për bustin

 

BULQIZE - Princi Leka përshëndeti dje nga Bulqiza iniciativën e Këshillit Bashkiak në Burrel për të vendosur bustin e gjyshit të tij në qendër të qytetit. Për herë të parë pas nisjes së debatit në këtë qytet për figurën e ish-mbretit Zog dhe zëvendësimin e tij me atë të Skënderbeut ka folur një përfaqësues i familjes mbretërore. Megjithatë, vetë Princi Leka nuk ka dashur të japë detaje mbi këtë ndryshim, duke falënderuar vendorët për respektin ndaj figurës së ish-mbretit. “Falënderoj kryetarin e Bashkisë së Burrelit dhe gjithë Këshillin Bashkiak për gjestin e treguar, për të nderuar gjyshin tim. Familja jonë ka pasur dhe ka lidhje të forta me Matin. Ky gjest simbolik i Këshillit Bashkiak do të shërbejë, që ne të këmbëngulim shumë që në Mat të vijnë investitorë dhe personalitete të shumta”. Më tepër, Leka ka theksuar faktin e lënies në harresë të këtij rrethi. “Mati ka pasur dhe ka resurse të mëdha, nën e mbi tokësore dhe ato duhen shfrytëzuar në dobi të banorëve të këtij rrethi. E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, do të jem një ambasador i vendlindjes time, Matit”, u shpreh Princi Leka. Ai gjendej dje në fshatin Peshk të komunës së Martaneshit në rrethin e Bulqizës për të ngushëlluar familjet e 22 burrave të pushkatuar pa gjyq nga Brigada e Parë Sulmuese. Princ Leka u shoqërua në këtë vizitë nga deputeti i zonës Idriz Xhomara, përfaqësues të Prefekturës Dibër dhe është pritur ngrohtësisht nga banorët e këtij fshati. Në fillim të ceremonisë, në shenjë respekti e mirënjohje për burrat e pushkatuar Princi Leka e deputeti Xhomara mbollën dy pemë pranë memorialit të inauguruar një muaj më parë.                                     h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›