E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, lihet në qeli vrasësi i mjekut

VENDIMI/ Ali Lorja ka zgjedhur heshtjen përgjate gjithë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë


DURRËS - "Burg pa afat" është masa e sigurisë e dhënë nga togat e zeza për Ali Lorjan, i akuzuar për vrasjen e mjekut Fatmir Thaçi. Rreth orës 12:00 ai është paraqitur në Gjykatën e Durrësit, teksa nga ana e prokurorisë ndaj tij janë ngritur akuzat e "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtjes pa leje".


Shoqërimi i tij është bërë nën masa të forta sigurie, pasi ngjarja ka pasur shumë debate dhe policia kishte marrë masa për të parandaluar çdo të parapritur.


Në sallën e gjykimit Lorja ka qëndruar i heshtur dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim me fjalën e akuzës që ka sjellë para trupit gjykues faktet e përfshirjes së tij në vrasjen e mjekut. Në këtë seancë, prokuroria e përfaqësuar nga Elena Bakallbashi i ka kërkuar trupit gjykues masën e sigurisë "arrest me burg" për të pandehurin. Togat e zeza kanë vendosur pranimin e kësaj kërkese duke e lënë në qeli Lorjan.


Ngjarja e rëndë ka ndodhur para 3 ditësh, kur Lorja ka hyrë si pacient në mjediset e repartit të radiologjisë dhe aty ka ekzekutuar me armë zjarri mjekun Fatmir Thaçi ndaj të cilit ai kishte shprehur shenja xhelozie dhe e kishte akuzuar si shkaktar të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij Lilianës.


Kjo e fundit kishte pirë lëndë helmuese pas konflikteve të lindura në familje rreth debateve për mjekun në fjalë. Pas vrasjes së mjekut 55-vjeçar, Ali Lorja ka shkuar dhe është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. M.Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›