E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli nis dëshminë e tij kundër bandës

I PENDUARI


Gjatë seancës së djeshme ish-anëtari i bandës së Durrësit dha dëshmi për atentatin ndaj vëllait të Plarent Dervishit dhe vrasjen e Dritan Sallakut


Rrëfimi shkakton reagimin ironik të të pandehurve, ndërsa avokatët pretenduan se dëshmitari ka probleme mendore


TIRANË- I penduari i "bandës" së Durrësit Adriatik Coli, që për prokurorin e Krimeve të Rënda është autor i tetë vrasjeve e pesë plagosjeve të ndryshme, i bashkangjitur programit të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, dha dje për herë të parë një dëshmi të gjatë për rreth pesë orë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.


Coli, rrëfeu sipas tij krimet e "bandës", ku ishte pjesë deri mesditën e fundshkurtit të vitit 2006. Këtë dëshmi ai e dha dje gjatë seancës gjyqësore të radhës, në procesin në ngarkim të të akuzuarve të "bandës" së Durrësit.


Me kërkesë të prokurorëve të çështjes, trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda, lejoi vazhdimin e marrjes në pyetje të Colit, pavarësisht kërkesës së avokatëve mbrojtës për shtyrjen e seancës gjyqësore në mungesë të njërit prej mbrojtësve të 15 të pandehurve, që u zëvendësua nga një avokat kryesisht.


Gjatë dëshmisë së tij, i pandehuri Coli tregoi para gjykatës ngjarjet e ndodhura gjatë vitit 1997-'98 në qytetin bregdetar të Durrësit mes "bandës" së Lul Berishës dhe asaj të "Marsel Sotirit".


"Dëshmia e Colit u përqendrua më shumë në faktet dhe detajet që tashmë janë publikuar në media, si për ngjarjen e vrasjes së Dritan Sallakut, konfliktin mes "bandës" së Lul Berishës e Klod Saliut me "bandën" e Marsel Sotirit, organizimet për plagosjen dhe më pas vrasjen e këtij të fundit, vrasjen e Virion Currit e Arjan Pajës.


Po kështu, ai ka rrëfyer edhe për drogën e gjetur në makinën e Shefit të Kontrabandës Marsel Sotiri me 80 mijë marka, tentativën e vrasjes së Redi Dervishajt (vëllai i Plarent Dervishajt) si dhe plagosjen e vetë të penduarit dhe të fejuarës së tij nga "banda" e Marsel Sotirit" - thanë burimet pranë seancës gjyqësore, e cila u zhvillua si zakonisht me dyer të mbyllura.


Sipas burimeve, Coli i qëndroi besnik deri në këto momente dëshmisë së tij dhënë para oficerëve të policisë, e botuar nga "Shekulli" në mars të vitit 2008 dhe e ribotuar ditët e fundit.


Ai ka renditur emrat e të gjithë të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, që për pasoj kanë sjellë edhe vrasjen e disa personave dhe plagosjen e tyre. Dëshmia e të penduarit Coli vazhdoi mbi pesë orë, me disa pushime të shkurtra për cigare dhe nevoja personale të pjesëmarrësve dhe palëve në këtë proces gjyqësor.


Ndërkohë, në sallën e gjyqit, pas hekurave të kafazit ndodheshin edhe të pandehurit e bandës me në krye Lulëzim Berishën, Endrit Doklen etj. Ata herë pas here nënqeshnin me dëshminë e të penduarit, duke lënë të kuptohet se për ta ai po gënjente dhe po i sajonte ngjarjet.


Gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtësve si të pabazuar

Avokatët kërkojnë ekzaminim psikik të Colit


Deklarimet e të penduarit, bënë që disa nga avokatët mbrojtës që ndodheshin në sallën e gjyqit, t'i drejtohen togave të zeza me kërkesën për kryerjen e një ekspertimi psikik për të pandehurin Adriatik Coli. Kjo sipas tyre, për shkak se: "Ai nuk është në rregull nga trutë, sepse po sajon gjëra".


Ky pretendim, mësohet se është ngritur edhe nga vetë disa nga të pandehurit e pranishëm në sallën e gjyqit, të cilët mbështetën kërkesën e avokatëve të tyre mbrojtës. Kjo kërkesë nuk u mbështet nga dy përfaqësuesit e akuzës, të cilët i kërkuan Gjykatës të mos e pranonin.


Trupi gjykues, pas tërheqjes në dhomën e këshillimit për 20 minuta, vendosi rrëzimin e kërkesës së avokatëve mbrojtës, duke e cilësuar kërkesën për kryerjen e akt-ekspertimit psikik të Adriatik Colit si të panevojshme dhe të pabazuar në ligj.


Ky vendim, irritoi sadopak avokatët, të cilët kërkuan me ngulm që kërkesa e tyre të pranohet. Kryesuesi i trupit gjykues u kujtoi avokatëve se "çdo vendim i ndërmjetëm është i ankimueshëm në Gjykatën e Apelit bashkë me vendimin përfundimtar".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›