E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në një javë bllokohen 2 500 mijë leje qarkullimi

Aksioni i Policisë Rrugore ndëshkon drejtuesit e mjeteve që nuk kanë shlyer detyrimet


TIRANË - Policia Rrugore vazhdon të penalizojë shoferët, të cilët nuk kanë paguar gjobat që kanë marrë gjatë ditëve të fundit. Sipas Policisë së Tiranës, gjatë fundjavës janë pezulluar 950 leje qarkullimi për automjetet, për të gjithë ata shoferë që nuk kanë shlyer detyrimet financiare për masat administrative që janë marrë ndaj tyre.


Ndërkaq, në total, Policia Rrugore ka bllokuar gjatë javës së kaluar rreth 2 500 leje qarkullimi të ndryshme, drejtuesve që nuk kanë shlyer detyrimet. Pas shlyerjes së detyrimeve 27 makinat e bllokuara u janë dhënë pronarëve të tyre, ndërsa po kaq vazhdojnë të jenë të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore në kryeqytet.


Pas aksionit të efektivave të Policisë Rrugore, Posta Shqiptare ka arritur që në dy ditët e fundit të arkëtojë më shumë se katër milionë lekë, përafërsisht 2100 masa administrative, të vendosura për të gjithë ata shoferë që janë ndëshkuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.


Gjatë nismës së Policisë Rrugore për parandalimin e aksidenteve janë shtuar kontrollet në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo për parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.


Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit bënë të ditur dje se aksioni për vendosjen e gjobave ka vazhduar edhe gjatë fundjavës, ku janë vendosur 1581 masa administrative, me një vlerë prej 1 milion e 800 mijë lekësh. Ndërkohë, po gjatë aksionit të ditëve të fundjavës janë pezulluar edhe 21 leje drejtimi.


Aksioni i Policisë Rrugore për gjobitjen e të gjithë shoferëve, që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor po vazhdon prej një muaji dhe sipas drejtuesve të Policisë ka për qëllim të minimizojë ngjarjet aksidentale të shkaktuara nga lëvizjet e makinave.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›