Ndotja, hetime 10 pronarëve të gropave të gëlqeres
KRUJË- Ndotja pa kufi e shkaktuar për vite me radhë në zonën e Krujës nga guroret e shumta, të cilat nuk kanë as leje për ushtrim aktiviteti, më në fund ka nisur të ndëshkohet nga institucionet shtetërore. Prokuroria e rrethit Krujë ka nisur hetimet për të paktën dhjetë raste ku pronarët e guroreve akuzohen për veprën penale të ndotjes së ajrit, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal. Hetimet kanë nisur dy ditë më parë nga ana e prokurorisë, e cila është duke verifikuar aktivitetin e firmave. “Bëhet fjalë për dhjetë procedime penale ndaj subjekteve, të cilët kanë ngritur kamina gëlqerore në rrethin e Krujës, dhe me aktivitetin e tyre shkaktojnë ndotje të lartë të ajrit”,- thanë dje burimet zyrtare të prokurorisë.
Ato shpjeguan se ky veprim është nisur nga situata problematike mjedisore e bërë prezent kohët e fundit edhe në mediat shqiptare. “Kështu, nisur nga fakti se ndotja e ajrit sjell ndryshim të cilësisë së ajrit, prishje të ekuilibrit të sistemit natyror dhe me kryesorja është faktor që sjell dëmtime në shëndetin e banorëve të komuniteti të zonës dhe parashikohet si vepër penale në nenin 201 të Kodit Penal, Prokuroria e rrethit Krujë filloi veprimet e duhura hetimore për të bërë të mundur vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”,- thanë dje burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, të gjitha këto firma shkaktonin ndotje tepër të lartë në ajër. Hetuesit pohuan se gropat e gëlqeres përdornin për lëndë djegëse dhe materiale si goma makinash të përdorura, sfungjerë, mbetje plastike etj, të cilat shkaktojnë një ndotje të lartë të ajrit nëpërmjet shkarkimit të blozës dhe gazrave helmuese. Edhe analizat e zhvilluara së fundmi në këtë zonë kanë treguar se ndotja në ajër rezulton të jetë disa herë tej normave të lejuara nga legjislacioni mjedisor.
Veprimet e para të prokurorisë në lidhje me këtë çështje kanë qenë këqyrja e gropave të gëlqeres, fotografimi i tyre si dhe sekuestrimi i lëndëve djegëse të përdorura në to. Nga ana e hetuesve janë sekuestruar edhe ambientet ku bëhej djegia e gëlqeres me sende të ndaluara nga ligji. Pas këtyre veprimeve janë shoqëruar në komisariatin e policisë edhe dhjetë persona, ndaj të cilëve ka nisur tashmë procedimi penal. Veprimet e prokurorisë janë kryer në orët e para të mëngjesit në bashkëpunim edhe me ekspertët e Institutit të Shëndetit dhe Higjienës të ardhur nga Tirana. Këta të fundit kanë bërë matjet e ajrit.
Personat nën hetim
Faik Beqir Vogli, pronar i një grope në Krastë, Krujë
Kujtim Shaqir Baruni, pronar i një grope në Krastë, Krujë
Lutfi Mustafa Stafa, pronar i një grope në Krastë, Krujë
Astrit Pelivani, pronar i një grope në Krastë, Krujë
Shkelqim Skoti, pronar i një grope në Zall Krujë
Hasan Leka, pronar i një grope në Zall Krujë
Luan Karem Patulli, pronar i dy gropave në Borizan, Krujë
Faik Ramadan Xhepi, pronar i një grope në Kameras Fushë-Krujë
Bujar Babasi, pronar i një grope në Kameras Fushë-Krujë
Arjan Topçiu, pronar i një grope në Zahari Krujë