E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, mallrat ushqimore në "sitë", asgjësohen 500 tonë ushqime të skaduara

Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Durrës ka nisur të rrisë kontrollet në zonën turistike dhe më gjerë. Drejtori i DBU-së në Durrës, Jonuz Tafili ka bërë të ditur se Inspektorati i ushqimit pranë kësaj drejtorie ka filluar një kontroll të imtësishëm në të gjitha pikat që tregtohen produkte ushqimore, kryesisht ata me prejardhje shtazore.

Inspektorët janë duke kontrolluar me imtësi afatin e skadencës, origjinën e mallit dhe kushtet në të cilat ato mbahen dhe tregtohen. Inspektorati ushqimor në Durrës ka asgjësuar 500 ton produkte ushqimore të ndryshme si dhe ka kthyer në vendin e origjinës rreth 7 mijë e 434 shishe birra për mungesë të etiketimit. Vendi i fundit nga ku vinte sasia e birrës prej 7 mijë e 434 shishe ishte Gjermania, e cila kishte si destinacion vendin tonë. Por pas një kontrolli të ushtruara nga ana e inspektorëve ushqimore në port, është vënë re mungesa e etiketave, duke i kthyer në vendin e origjinës. Produktet ushqimore të asgjësuara janë të llojit të ndryshëm, si lëngje frutash, djathë, kos, mish si dhe produkte të tjera të ambalazhuara. Raste të tilla, sipas informacioneve të marra nga Inspektorati Ushqimor Durrës, janë të shumta. Sipas drejtorit të Bujqësisë, Jonuz Tafili, shkeljet janë të ndryshme, duke filluar nga ambalazhimi, etiketimi, kushtet në të cilat tregtohen etj.
Asgjësimi në kohë
Për të dhënë një ide sa të rrezikuar janë konsumatorët durrsakë nga produktet ushqimore jashtë cilësisë mjafton të përmendim se në 7 muajt e fundit janë asgjësuar plot 3251 kuintalë ushqime të skaduara, por ende mijëra kuintalë të tjerë ushqime të skaduara të ardhura nga importi qarkullojnë lirisht në treg pasi DBU dhe instituti i higjienës nuk ushtrojnë kontrolle të shpeshta sidomos në portin e Durrësit ku është pika kryesore e futjes së këtyre ushqimeve. Kjo situatë është tepër e rrezikshme për konsumatorin durrsak i cili gjendet i pambrojtur për shkak të indiferencës së organeve të qeverisë që nuk kontrollojnë produktet e shumta ushqimore që hyjnë nga importi apo edhe të të tjerave që prodhohen në punishte dhe fabrika të ndryshme në klandestinitet dhe pa cilësi. Konsumatori durrsak mbetet i rrezikuar ndaj sëmundjeve nga asortimentet që tregtohen në këto ambiente si djathi, gjalpi, gjiza etj. Tregtimi i produkteve ushqimore jashtë çdo standardi higjieno-sanitar, pa etiketim në gjuhën shqipe apo të skaduara, në jo pak raste ka vënë në rrezik jetën e konsumatorit. Edhe pse shpeshherë është ngritur zëri për kushtet jo higjienike në të cilat tregtohen mallrat e konsumueshme, deri tani nuk është mbyllur asnjë nga subjektet. Ndërsa institucionet përkatëse, janë mjaftuar vetëm me vënien e disa gjobave apo asgjësimin e produktit ushqimor.

Email This Klikime: 23

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›