E Shtunë, 31 Tetor 2026

E zë muri që po prishte, vdes punëtori 71 vjeçar

Një ish- ushtarak në moshën 71- vjeçare, lindur në Lushnje dhe banues në Lagjen nr 4 në qytetin e Sarandës, i cili punonte kohët e fundit si murator, ka gjetur vdekjen gjatë shembjes së një muri. Prendi Gërmenji, mësohet se ishte punësuar në lokalin e shërbimit të pikës turistike të Syrit të Kaltër. Sipas marrëveshjes me pronarin e lokalit, Fatmir Gjokën, ai do të prishte një mur të ndërtuar më parë dhe në vend të tij do të ndërtonte një mur të ri, sipas porosisë së pronarit.

 Por nuk ka kaluar shumë kohë pas fillimit të punës dhe Prend Gërmenji ka parë se si është shembur para syve të tij gjithë faqja e murit, të cilin ai po e rrëzonte. Muri i rrëzuar e ka zënë ustain poshtë dhe gurët e murit i kanë shkaktuar plagë në trup dhe në kokë. Të pranishmit në lokal kanë dalë menjëherë për ti ardhur në ndihmë punëtorit, të cilin e kanë çliruar nga gurët dhe menjëherë me një makinë që u ndodh aty për vizitë e kanë transportuar të dëmtuarin për në spitalin rajonal Petro Nako" në Sarandë. Por gjendja shëndetësore e 71- vjeçarit është përkeqësuar gjatë rrugëes për në spital dhe jeta e tij është shuar pa marrë ende ndihmën e mjekëve të urgjencës. Sipas burimeve nga spitali rajonal, mësohet se 71- veçari ka arritur pa jetë në spital dhe është çuar menjëherë në morgun e sitalit, ku mjeku ligjor ka përcaktuar aksidentin si shkakun e vdekjes së tij. Pasi kanë mësuar mbi vdekjen e tij, të njohur të 71- vjeçarit kanë treguar se Prendi megjithëse kishte dalë ne pension, ishte i detyruar të punonte si murator për shkak të vështirësive ekonomike familjare me qëllim që të zbuste sadopak varfërinë. Pensioni i tij nuk i mjaftonte as për plotësimin e nevojave minimale të familjes. Ndërkaq, burimet policore nga komisariati i Delvinës, i cili ka juridiksionin mbi Syrin e Kaltër, e specifikojnë vdekjen si aksidentale për shkak të rrëzimit të murit, që ishte në proces prishjeje. Ndërkohë, një grup hetimor i këtij komisariati i përbërë nga specialistë të sektorit të kriminalistikës ka nisur  verifikimet në vend, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së personit të aksidentuar dhe përgjegjësitë ligjore të mundshme të personave të tjerë punëdhënës për masat e sigurimit teknik në punë. Ndërsa pranë familjes bëjnë me dije se trupi i pajetë i të ndjerit do të varroset në Lushnjë pranë varrezave ku prehen edhe të afërm të tjerë të fisit Germenji.

Email This Klikime: 6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›