E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, pritet miratimi i planit 825 miliardë dollarësh

 

Presidenti Barak Obama ka paraqitur mbrëmë në Dhomën Përfaqësuese planin e tij kundër recesionit të ekonomisë amerikane, i cili kërkon një fond prej 825 miliardë dollarësh për shpenzime emergjente dhe ulje taksash. Ky plan pritet të miratohet në Dhomën Përfaqësuese, me gjithë kundërshtimin e republikanëve për sasinë e shpenzimeve të përfshira në të. Dje në Dhomën Përfaqësuese amerikane pati një ditë të plotë debati mbi miratimin e këtij plani dhe argumentet e atyre që ishin kundër tij. Ky plan përfaqaëson angazhimin më shpenzues të Kongresit për vitet në vazhdim. Pjesa më madhe e republikanëve nuk e mbështesin legjislacionin e kërkuar nga Obama, me gjithë bisedimet e zgjatura dhe takimet që pati presidenti i ri demokrat me përfaqësuesit republikanë. Në fakt si kundërpërgjigje ata kanë ofruar për diskutim dhe shqyrtim një tjetër plan ekonomik konkurrues, i cili pritet të dështojë. Ndërsa Dhoma Përfaqësuese përgatitej për debatim mbi këtë legjislacion, për të cilin Obama është shprehur mjaft optimist, vetë presidenti është takuar në Shtëpinë e Bardhë me liderë korporate në përpjekje për të ndërtuar mbështetjen për një pasazh të planit stimulues ekonomik, i cili do të ndihmonte në shpëtimin e 4 milionë vendeve pune. Projektligji i Obamës që u diskutua në Dhomën Përfaqësuese kombinon 275 miliardë dollarë në ulje të përkohshme taksash për të nxitur shpenzimet dhe investimet në biznes, bashkë me qindra miliarda dollarë për projekte investimi, nga të cilat krijohen vende pune, përmirësime të industrisë së shëndetit, ndihmë më të gjerë për të varfrit e të papunët dhe përmirësimin e arsimit. Republikanët, aktualisht në minoritet në Kongresin amerikan, kanë ngritur pyetje nëse të gjitha këto para do të shpenzohen për të mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe nëse shpenzimi i tyre do të jetë efektiv. Kurse Obama kërkon një votim të fortë dypalësh për projektligjin, që do të varet nga fakti nëse republikanët mendojnë se e kanë marrë një pjesë të asaj që kanë kërkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›