Durrës, mbetet në burg futbollisti
DURRES - Mbetet në burg futbollisti i Teutës Qazim Buna. Ky është vendimi i togave të zeza të qytetit bregdetar, të cilët gjykuan seancën e masës së sigurisë për ish-kapitenin e skuadrës durrsake. Prokuroria mbrojti tezën e qëndrimit në burg duke deklaruar se për rastin në fjalë dyshimet janë të bazuara në prova konkrete. Të njëjtën masë gjykata mori edhe ndaj mikut të futbollistit Bejtush Bejtja, i cili tentoi të fshihte pistoletën e tipit “Zastava” që Qazim Buna e mbante pa leje. Mesditën e 27 nëntorit kapiteni Qazim Buna u konfliktua për motive banale me një tjetër futbollist të Akademisë Sportive Teuta, Armando Pasha, i cili pas ngjarjes mbeti i plagosur lehtë. Atij do t’i duhet të mbrohet ndaj dy akuzave “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosje të lehtë me dashje”. o.u