Saimir Pirgu: Askush s’më ka trajtuar më mirë se Woody Allen
Alma Mile
Ai është një djalë me të vërtetë modest. Ndërsa e pyet për shfaqje të suksesshme, në krahë të emrave të mëdhenj, të thotë vazhdimisht: “E imagjinon dot, për një të ri si unë?!”. Është e vërtetë që Saimir Pirgu nuk ka pak që mbushi të 27-at dhe në moshë është vërtet i ri, por emri i tij ngjitet në kalendarët e teatrove më të mëdhenj të botës. Regjisorë të mëdhenj e duan atë. E kush e mendonte. As vetë Saimir Pirgu nuk e beson se ngjitja e yllit të tij të ishte aq e shpejtë. Këto ditë po këndon Alfredon në Operën e Lozanës, pak javë më parë dha një recital në Itali, mori pjesë në koncertin kushtuar Pavarotit në krah të emrave të mëdhenj të operistikës botërore. Por ajo që i dha edhe më shumë emër, ishte bashkëpunimi me regjisorin Woody Allen. Në një intervistë për “Panorama” tenori tregon për të gjitha këto eksperienca, por më së shumti për bashkëpunimin me Allen, si një eksperiencat e tij më të shkëlqyera.
Duket se jeni bërë i pakapshëm, Los Anxhelos, Vjenë, Itali, ku është stacioni i radhës?
Momentalisht jam në Lozanë për “Traviata”-n e Verdit, ku luaj rolin e Alfredos. Për mua është një debutim në këtë skenë dhe ndihem vërtet i emocionuar.
Vetëm pak kohë më parë, mediat italiane komentuan gjatë një koncert tuajin me orkestrën “Hayden”...
Ky ishte një koncert që unë i detyrohesha orkestrës “Hayden”, me të cilët kam realizuar diskun tim të parë “Universal”. Atëherë luajtën falas për mua, kështu që dhe unë isha i detyruar të shkëmbeja “nderin” me një koncert, por pakti ishte mbas disa viteve, kur me të vërtetë emri im të ishte rritur.
Duket se emri juaj është rritur shumë shpejt, apo jo?
Kanë kaluar 4 vjet që nga realizimi i këtij albumi dhe ja kur drejtori i orkestrës “Hayden”, Gustav Kuhn u bë i gjallë.
Si shkoi?
Me të vërtetë një koncert i bukur. Jam ndier shumë mirë. Njerëz që ngriheshin në këmbë e duartrokisnin... Madje u ankuan që ishte vetëm një recital.
Një muaj më parë ju morët pjesë në një koncert kushtuar Luçiano Pavarotit, na tregoni pak për të...
Gjatë ditëve që këndoja në Vjenë, u organizua koncerti për nder të së madhit Luçiano Pavaroti. Merrnin pjesë emra të mëdhenj të operistikës botërore si Leo Nuçi, Desire Rancatore, miq të ngushtë të Luçianos. Imagjinoni, Nuçi kishte kënduar 13 role me mjeshtrin. Por të them të vërtetën aty njerëzit më shumë përloteshin sesa dëgjonin. U kënduan arie të ndryshme që kishte interpretuar dhe vetë Luçiano, por dy këngët që ai i këndonte me flautistin e tij Andrea Griminelli ishin ato që publiku i kërkoi dy herë biss.
Si u ndje i riu Saimir në këtë atmosferë?
Atje kishte shumë prej familjarëve të tij, ishte e motra, Nikoleta, vajza e madhe, Panoçia miku i Luçianos dhe i imi gjithashtu, kështu që mua mu duk si diçka në familje, por me spektator. Sigurisht nuk ishte e lehtë të këndoje të njëjtat arie që këndonte mjeshtri, por të gjithë më njihnin që të vogël, kështu që dhe e prisnin diçka nga unë, nga mësimet që kisha marrë prej tij.
Do kthehemi pak në kohë, në shfaqjen “Gianni Scichi” që dhatë në Los Anxhelos me regji të Woody Allen. Ç’do të thotë kjo ngjarje për ju?
Ishte një eksperiencë e rëndësishme për mua. Ishte një kënaqësi e madhe, jo vetëm prej magjisë që të fal Los Anxhelos, por për faktin që këndova në teatrin që drejtohet nga Plaçido Domingo. Të drejtohesh nga dirigjenti i madh Xhejms Konlon dhe nga një prej regjisorëve më të mëdhenj të Holliwood-it, si Allen, një i ri si puna ime, as duhet ta shkojë nëpër mend.
Si ju priti publiku amerikan?
Duhet thënë se publiku amerikan ndryshon krejtësisht nga ai evropian, që është më i ftohtë. Imagjinoni, njerëz të vënë në radhë për autografe. Njerëz kaq të dashur sa nuk mund të besohet. Për mua u hap një kontinent i ri.
Pas premierës u fol shumë për faktin që Allen nuk doli të përshëndetej me publikun, madje pati dhe nga ata që dyshuan për praninë e tij....
Ishte një njeri tepër i turpshëm, ne na bëri përshtypje të gjithëve. Domingo iu lut për një kohë të gjatë, që të dilte e të përshëndetej me publikun, por ai u justifikua se nuk e kishte të mundur të përballej me një sallë plot me njerëz si ajo, e ku mijëra sy do të nguleshin mbi të.
Ju ishit protagonist në vepër, si ishte komunikimi me regjisorin, si sillej ai me ju artistët?
Mund t’ju rrëfehem se nuk hapte gojë fare. E vetmja gjë që e shqetësonte ishte natyraliteti i artistëve. Ai urrente lëvizjet aktoreske. I mëshonte faktit që të gjithë duhet të ishim mëse normal, si në jetën e përditshme. Ishte një njeri shumë i urtë, i qetë, fliste me zë të ulët, saqë duhej një përkthyes për ta kuptuar. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje gjatë punës me të ishte fakti, që ai tregonte një respekt të paparë për ne artistët. Asnjë regjisor tjetër nuk më ka trajtuar si ai.
Shkëlqimi i radhës me Alfredon
Opera e Lozanës po shfaq këto ditë premierën e operës “Traviata” të G. Verdit, vënë në skenë nga Arnaud Bernard dhe drejtuar nga Paolo Arrivabeni. Në rolet kryesore interpretojnë Virginia Tola (Violetta Valéry), Saimir Pirgu (Alfredo Germont) dhe Sebastian Catana (Giorgio Germont). Një vepër e cila ka shënuar suksesin e radhës për tenorin shqiptar Saimir Pirgu. Pianistja Edlira Dedja, presidente e “Opéra sans Frontières”, Zvicër e komenton si një nga interpretimet më të mira të tenorit. “Ishte vërtet emocionuese atmosfera mbas përfundimit të operës, kur tenori Saimir Pirgu doli të përshëndesë publikun zviceran. Thjeshtësia e këtij djaloshi të ri shqiptar e mbushi plot emocione sallën e teatrit, që në çastet e para të daljes në skenë, ku ra në sy buzëqeshja e tij plot dritë, siguria dhe personaliteti i fuqishëm artistik, ndërthurur me një zë brilant, plot jetë e ëmbëlsi.
Muzika e Verdit ishte magjepsëse në tonet e zërit të tij; atmosfera e teatrit dukej më e tendosur dhe të krijohej përshtypja, se çdo gjë ndërronte pamje nën tingujt e këtij zëri të ëmbël e plot pasion. Të krijohej ndjesia se vetë rryma e jetës çlirohej prej saj; të dukej sikur nuk kishte më kufij, por vetëm shkëlqim, melodi e dashuri. Në ato çaste, konturet e sallës shkriheshin me botën përreth dhe harroje se jashtë saj kalimtarët nxitonin për t’iu shmangur temperaturës së acartë të dimrit zviceran”, komenton ajo.